Austria do të paraqitet në Evropianin e tretë këtë verë dhe do të mundohet që ta përmirësojë paraqitjen e dy tentimeve të mëhershme e ta kalojë fazën e grupeve.
“Das Team” automatikisht u kualifikua si nikoqire së bashku me Zvicrën në vitin 2008, ndërsa u kualifikua në Evropian edhe në vitin 2016. Megjithatë, në të dyja ngjarjet e mëdha u eliminua në fazën e grupeve duke i humbur dy ndeshje e duke barazuar në një tjetër. Kjo do të thotë se Austria ende nuk ka fituar asnjë duel në këtë ngjarje.
Franco Foda i cili do ta udhëheqë Austrinë në ngjarjen e parë të madhe si trajner pasi e zëvendësoi Marcel Kollerin në vitin 2018-të, beson se skuadra e tij ka cilësi për ta kaluar fazën e grupeve.
Forma e skuadrës, megjithatë, duhet të përmirësohet, nëse dëshiron që ta arrijë vendin e dytë, apo të jetë një nga katër skuadrat e treta më të mira të grupeve. Austria dhe Maqedonia e Veriut do të luajnë të dielën në “Arena Nationala” të Bukureshtit nga ora 18:00.
Maqedonia e Veriut, që në përbërje ka gjashtë shqiptarë, nuk ka fituar dhe nuk ka shënuar as një gol të vetëm në tri duelet e fundit. 4:0 u mposht nga Danimarka, humbi 1:0 nga Anglia dhe barazoi pa gola me Sllovakinë në ndeshjen e fundit përgatitore.
Gjatë kualifikimeve, Austria e mposhti Maqedoninë e Veriut në të dyja ndeshjet me rezultatin e përgjithshëm 6:2. Në këtë vikend, e ka një lloj përparësie për t’i marrë pikët e plota në Grupin C.
Për herën e parë në historinë e saj 27-vjeçare, Maqedonia e Veriut do të jetë pjesëmarrëse në një ngjarje të madhe. Do të jetë pjesë e skenës së madhe Evropiane. Është skuadra me renditjen më të dobët në krahasim me shtetet tjera pjesëmarrëse në “Euro 2020”. Zë pozitën e 62-të në ranglistën e FIFA-s. Pak njerëz besojnë se Maqedonia e Veriut do ta kalojë grupin, ndonëse përzgjedhësi Igor Angelovski beson se në Evropian do të bëjnë befasi.
Përgatitjet për këtë garë të Maqedonisë së Veriut kanë qenë shumë të mira. I ka humbur vetëm dy nga 10 ndeshje në të gjitha garat. I ka fituar tri nga katër të fundit, derisa ka shënuar 12 gola.
Në kualifikime të Botërorit fitoi 5:0 kundër Liechtensteinit. Paraprakisht kishte triumfuar në udhëtim te katër herë kampioni i Botës, Gjermania. Eljif Elmas shënoi golin e fitores historike në minutën e 85-të.
Përbërjet e mundshme
Austria: Bachmann; Lainer, Dragovic, Hinteregger, Friedl; Grillitsch, Alaba; Lazaro, Sabitzer, Baumgartner; Kalajdzic
Maqedonia: Dimitrievski; Velkovski, Musliu, Ristevski; Ristovski, Nikolov, Ademi, Elmas, Alioski; Pandev, Trajkovski