Euro 2020

Sejdini: E duam këtë Maqedoni jo vetëm në futboll

Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini, i është adresuar publikut dhe ka nënvizuar krenarinë e suksesit të jashtëzakonshëm me arritjen në “Euro 2020”.

Sipas Sejdinit, mënyra se si funksionon ekipi i futbollit, duhet të jetë shembull për çdo gjë në shtetin e Maqedonisë së Veriut.

Suksesi për histori është arritur, të gjithë ëndërrojnë të shkruajnë historinë e re në Bukuresht dhe Amsterdam, dhe Sejdini u ka thënë lojtarëve që ta shijojnë lojën në fushë, ta bëjnë më të mirën, pavarësisht se çfarë do të ndodhë.

“Dhe ky ishte viti. Disa mund të thonë pa meritë, për futbollin e Maqedonisë është histori. Disa tregime janë më mirë të thuhen nëse e nisim nga fundi. Ne kemi fituar sepse kemi thënë që jemi fitues. Emocionet nga Gjeorgjia nuk mund të krahasohen me asgjë. Ishin të sinqerta. Në shoqërinë tonë, shqiptarët, maqedonasit, turqit e romët janë të bashkuar kur vjen puna te përfaqësuesja. Duhet të jetë shembull se si duhet të sillemi. Në fitore apo humbje, ne e duam një Maqedoni të tillë, dhe jo vetëm në futboll”, ka shkruar ndër të tjerash në letrën e tij kryetari i FFM-së, Sejdini.