Kampionia në fuqi e Evropës, Portugalia, nuk është vetëm pretenduese e këtij turneu, por lirisht mund të konsiderohet si favorite e certifikuar për të triumfuar. Që nga triumfi në Kampionatin Evropian të vitit 2016 të mbajtur në Francë, Përfaqësuesja e Portugalisë është rritur dukshëm, duke u shndërruar në një forcë të vërtetë. Pas një fushate të mjerueshme për Botërorin “Rusia 2018”, ku mezi arriti të kualifikohet dhe u eliminua në 1/8 e finales nga Uruguai, Portugalia ka vazhduar me triumfin në edicionin e parë të Ligës së Kombeve dhe në kualifikimet për “Euro 2020” doli si e dyta. Është e papranueshme që të mos nxirret në pah thellësia e ekipit aktual të Portugalisë. Me rekordmenin e golave, Cristiano Ronaldo, që është lider i Portugalisë, por që mbështetet nga një grup talentesh, si Bruno Fernanes, Diogo Jota, Bernardo Silva, Joao Felix dhe më shumë, atëherë mund të konfirmohet se portugezët i kanë gjasat e mira për ta mbrojtur trofeun e fituar para pesë vjetësh. Skuadra mund të ëndërrojë të shtyhet larg në turne këtë verë.
Përzgjedhësi dhe taktika
Ishte relativisht i panjohur kur u emërua përzgjedhës i Portugalisë në vitin 2014. Mirëpo, Fernando Santos e arriti suksesin më të madh të Portugalisë, kur i udhëhoqi ata drejt triumfit në “Euro 2016”, duke e mposhtur Francën në finale. Pavarësisht se regjistroi vetëm një fitore në 90 minuta gjatë turneut, qasja pragmatike e Santosit skaliti lavdinë e paparë të Portugalisë në verën e vitit 2016.
Ish-shefi i Greqisë ka pasur funksione drejtuese në vendlindjen e tij në Portugali, te Benfica e Sportingu dhe gjithashtu ka punuar në Greqi, te PAOK-u dhe AEK-u. Që nga emërimi i tij në vitin 2014, përzgjedhësi i Portugalisë është kujdesur ta mbushë ekipin me lojtarë të rinj dhe të talentuar. Ai ua mundësoi debutimin te Portugalia, lojtarëve si Joao Felix, Renato Sanches, Reuben Neves, Joao Cancelo që shihen si pasuri e madhe. Santos është i njohur për sistemin e tij të lojës, të cilin pothuajse nuk e ndërron asnjëherë. Ai është i vendosur të paraqitet në fushë me formacionin 4-2-3-1, ku kapiteni Ronaldo i prin sulmit dhe mbështetet nga të tjerët.
Ylli i ekipit
Përkundër moshës 36-vjeçare, Cristiano Ronaldo mbetet lojtari kryesor dhe ylli i Përfaqësueses së Portugalisë. Ronaldo do të luajë në kampionatin e tij të pestë evropian dhe do të kërkojë ta shtojë edhe një rekord tjetër në listën e tij. Ai është vetëm gjashtë gola larg rekordit të të gjitha kohërave për një ekip kombëtar. Rekordin e 109 golave e mban ish-sulmuesi i Iranit, Ali Daei, i vetmi lojtar tjetër i futbollit që ka tejkaluar shifrën e 100 golave. Ronaldo shënoi katër gola në Kampionatin Botëror “Rusia 2018” dhe tre sosh në Euro “2016”. Ai luajti më pak se gjysmë ore në finale kundër Francës pesë vjet më parë, sepse u dëmtua. Sulmuesi i Juventusit ka shënuar për Portugalinë në çdo vit kalendarik që nga goli i tij i parë ndërkombëtar në vitin 2004. Ronaldo deri më tani ka realizuar 103 gola në 173 paraqitje për Portugalinë. Nuk është sekret që Ronaldo është sulmues i kompletuar, që zotëron aftësi të mëdha në të gjitha aspektet. Me shiritin e kapitenit në krah, padyshim se Ronaldo do të mundohet ta fitojë këtë turne, i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë Evropiani i fundit në karrierë. Ai do të kërkojë ta qeverisë këtë skuadër të re dinamike dhe të talentuar drejt mbrojtjes së titullit.
Lojtari i së ardhmes
Sulmuesi aktual i Atletico Madridit, Joao Felix, u fut në skenën e futbollit me disa paraqitje befasuese te Benfica. Pavarësisht se nuk po krahasohet me moshatarët e tij, si Kylian Mbappe e Erlind Haaland, portugezi Felix pothuajse është në të njëjtin rang me ta. Pasi u kurorëzua me çmimin “Djaloshi i Artë” në vitin 2019, Atletico theu rekordin e klubit për ta transferuar Felixin për 126 milionë euro. Felixi është adoleshenti i dytë më i shtrenjtë pas francezit Mbappe. Felixi është një sulmues i gjithanshëm dhe është i aftë të luajë kudo në repartin e sulmit. Në mungesë të Ronaldos, ai ka shënuar gola dhe ishte sulmuesi kryesor i Portugalisë. Por, me Ronaldon që i prin sulmit, Felixi pritet ta përkrahë nga krahët. Në sezonin e fundit, Felixi e fitoi titullin e kampionit në La Liga me Atleticon, sukses në të cilin kontribuoi me shtatë gola e gjashtë asistime në 31 ndeshje kampionale.
Bilanci
Portugalia do të hyjë në turne si kampione në fuqi. Që nga viti 2000, Portugalia ka dështuar vetëm një herë për të arritur në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian. Suksesi në Evropianin e fundit dhe ai në Ligën e Kombeve, bën që Portugalia të futet në mesin e skuadrave më të mëdha favorite për ta fituar Evropianin e këtij viti, i cili nis më 11 qershor. Portugezët ka kohë që e kanë konfirmuar veten si favoritë dhe në ndeshjen e fundit kontrolluese para se të futen në Evropian, barazuan pa gola me Spanjën.
Gjasat
Portugalia është tërhequr në “Grupin e Vdekjes” së bashku me Gjermaninë dhe kampionen e botës, Francën. Hera e fundit që Portugalia u ndesh me Gjermaninë në një turne të madh ishte në Botërorin 2014, të cilën e humbën 4-0. Portugalia do t’i ketë zhdukur kujtimet e asaj loje fatkeqe dhe do të dëshirojë t’u hakmerret gjermanëve në fazën e grupeve. Gjithashtu, Portugalia do të mirëpresë armiqtë e vjetër, Francën, që e mposhti në finalen e Evropianit të fundit. Me rezultate të mira në këto dy ndeshje, Portugalia pothuajse mund të avancojë me sukses nga grupi dhe të vazhdojë rrugën drejt mbrojtjes së trofeut.
Lista e Portugalisë për Evropian
Portierë: Anthony Lopes, Rui Patricio, Rui Silva
Mbrojtës: Joao Cancelo, Ruben Dias, Jose Fonte, Raphael Guerreiro, Nuno Mendes, Pepe, Nelson Semedo
Mesfushorë: William Carvalho, Danilo, Bruno Fernandes, Gonçalo Guedes, Joao Moutinho, Ruben Neves, Sergio Oliveira, Joao Palhinha, Pote, Renato Sanches, Bernardo Silva
Sulmues: Joao Felix, Diogo Jota, Cristiano Ronaldo, Andre Silva, Rafa Silva
Ndeshjet e Portugalisë në “Euro 2020”
15 qershor: Hungaria – Portugalia (18:00, Budapest)
19 qershor: Portugalia – Gjermania (21:00, Munich)
23 qershor: Portugalia – Franca (21:00, Budapest)