Euro 2020

#Profili - Euro 2020: Gjermania e vendosur për kthim të fuqishëm në skenën e madhe

Përfaqësuesja e Gjermanisë hyn në “Euro 2020” me shpresën për ta kthyer statusin e saj si një superfuqi globale, pas paraqitjes zhgënjyese që e pati në Botërorin “Rusia 2018”.

“Die Mannschaft” zbarkoi në Rusi si kampione në fuqi dhe dukej se gjermanët do ta kalonin grupin e tyre me lehtësi. Por, nuk arritën të shfaqnin autoritetin e tyre në fushë dhe u eliminuan nga Botërori në fazën e grupeve.

Nëse ekipi i përzgjedhësit Joachim Loew arrin ta ngritë trofeun e Evropianit në stadiumin “Wembley” në Londër, atëherë Gjermania edhe një herë do të konsiderohet një nga përfaqësueset më të forta në botë. Joachim Loew, i cili do të largohet nga posti i përzgjedhësit pas “Euro 2020”, ka riformuar ekipin e tij aktual nga Botërori i vitit 2018, kurse ka kthyer Thomas Muellerin e Mats Hummelsin që i kishte përjashtuar në vitin 2019. Së bashku me lojtarët me përvojë si Emre Can, Ilkay Gundogan e Toni Kroos, si dhe yjet e rinj si Leroy Sane, Joshua Kimmich dhe Timo Werner, Gjermania pritet të bëjë një kthim të fuqishëm në futbollin ndërkombëtar.

Përzgjedhësi dhe taktika

Joachim Loew ka bërë një rrugë të gjatë si përzgjedhës i Gjermanisë, duke e udhëhequr ekipin në dy gjysmëfinale të Evropianit, ku në vitin 2008 doli nënkampion. Megjithatë, suksesi i tij i madh është triumfi në Kampionatin Botëror të vitit 2014 që u mbajt në Brazil, i cili e konfirmoi Loewin si njërin prej trajnerëve më të suksesshëm. “Euro 2020”, që nis më 11 qershor, do të jetë turneu i fundit i Loewit në krye të Gjermanisë, pasi muaj më parë paralajmëroi largimin. Edhe pse Gjermania është në fazën e saj të rikuperimit pas zhgënjimit në Rusi, strategjia e gjermanëve nuk do të ndryshojë në Evropian. Gjermania do të inkurajohet për ta kontrolluar lojën, të veprojë afër portës kundërshtare dhe të shfrytëzojë shpejtësinë e Kai Havertzit, Serge Gnabryt e Timo Wernerit për të shënuar gola. Loew ka përdorur gjithmonë një formacion, 4-3-3, por ai gjithashtu ka punuar me sistemin e lojës me pesë mbrojtës. Antonio Rudiger dhe Niklas Sule janë çifti më i preferuar i Loewit prej të gjitha opsioneve për të luajtur si qendërmbrojtës. Po ashtu, Gjermania ka shumë opsione edhe për portën. Kapiteni Manuel Neuer mbetet numri një.

Ylli i ekipit

Portieri Neuer u konsiderua si një forcë e shpenzuar pasi gjermanët u eliminuan në Rusi në vitin 2018. Por, që nga ajo kohë, 34-vjeçari ka rifituar qëndrueshmërinë e tij dhe është rivendosur si një nga portierët më të mirë.

Ai ka qenë personi perfekt në portë si për klubin ashtu edhe për vendin. Në sezonin e fundit, Neuer e ka mbajtur portën e paprekur në 25 ndeshje, kurse ka ndihmuar Bayernin ta fitojë titullin e kampionit të Gjermanisë. Ai do të jetë një figurë thelbësore për Loewin në këtë turne, pasi është një nga lojtarët e paktë në skuadër që e di se çfarë duhet për të fituar një trofe të madh.

Statusin e yllit të ekipit te Gjermania e ka edhe Joshua Kimmich. Dikur i konsideruar si pasardhës i Philipp Lahmit, Kimich nga pozita e mbrojtësit të majtë e ka stabilizuar veten si mesfushor qendror dhe ndoshta është prej më të mirëve në botë. Loja e Kimmichut do të jetë shumë e rëndësishme për Gjermaninë, pasi është i njohur për pasimet e sakta dhe depërtimet e papritura në zonën kundërshtare që mund të konkretizohen me gol. Në sezonin e fundit, Kimmich ka pasur 14 asistime në 39 ndeshje në të gjitha garat për Bayernin dhe pritet të jetë furnizuesi kryesor i sulmit gjerman me topa.

Lojtari i së ardhmes

Një lojtar i ri që mund të tërheqë vëmendjen e të gjithëve në Evropian është Jamal Musiala. Ai luan për Bayernin dhe konsiderohet një talent i madh. Musiala, i cili kishte përfaqësuar më parë ekipet e të rinjve të Anglisë, në fillim të këtij viti njoftoi se ka vendosur të luajë për Gjermaninë. Vetë Joachim Loew ishte ai që e rekrutoi Musialan te Gjermania, pasi e konsideron si një trashëgimtar afatgjatë të Muellerit. 18-vjeçari ka shënuar gjashtë gola në Bundesligë dhe një tjetër në Ligën e Kampionëve për Bayernin në sezonin e fundit. Aftësia teknike me topin dhe efikasiteti bën që Musiala të jetë mbi moshatarët e tij. Musiala, si Muelleri, mund të luajë në disa role dhe t’u përshtatet kërkesave të trajnerit për sistemin e lojës. Për një lojtar kaq të ri, loja që bën dhe statistikat e driblimeve janë vërtet të mrekullueshme. Musiala bën mesatarisht 4.6 driblime për ndeshje, por gjithashtu jep edhe 42 pasime me një saktësi prej 87.4 për qind. Ai mund të jetë mbështetje e përsosur për veteranët Gundogan dhe Kroos nëse është në fushë. Mund të jetë lojtari perfekt që futet nga stoli në Evropian për Gjermaninë dhe Loewin.

Bilanci

Gjermania luajti në Evropian për herë të parë në vitin 1972. Që nga ajo kohë, gjermanët kanë marrë pjesë në çdo Evropian që është mbajtur. Pjesëmarrja në “Euro 2020” do të jetë e 13-ta për Gjermaninë. Ka fituar tri herë këtë turne dhe Spanja është përfaqësuesja e vetme tjetër që e ka arritur këtë. Gjermania e ngriti trofeun në vitin 1972, 1980 dhe 1996. Në “Euro 2016”, Gjermania arriti deri në gjysmëfinale, sikurse në vitin 2012. Kështu që këtë herë gjermanët janë të vendosur për të luajtur në finalen e datës 11 korrik.

Gjermania të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve do t’i luajë në shtëpi, saktësisht në stadiumin “Allianz Arena” në Munich.

Gjasat

Gjermania është një pretenduese me të vërtetë e fortë për të fituar në “Euro 2020”. Sidoqoftë, një nga pengesat më të mëdha në kërkimin e lavdisë nga gjermanët këtë herë është grupi i vështirë, në të cilin bëjnë pjesë. Kampionia në fuqi e botës, Franca, si dhe kampionia në fuqi e Evropës, Portugalia, janë pjesë e Grupit F, të cilin e përbën edhe Hungaria, por që vështirë mund të jetë pengesë. Ndeshjen e parë në grup gjermanët do ta luajnë me Francën (15 qershor), përpara se të përballen me Portugalinë katër ditë më vonë. Për Gjermaninë dhe Loewin është kusht që ta kalojnë fazën e grupeve për të mos përsëritur dështimin e vitit 2018.


Lista e Gjermanisë për Evropian

Portierë: Manuel Neuer, Bernd Leno, Kevin Trapp

Mbrojtës: Matthias Ginter, Robin Gosens, Christian Gunter, Marcel Halstenberg, Mats Hummels, Lukas Klostermann, Robin Koch, Antonio Rudiger, Niklas Sule

Mesfushorë: Emre Can, Leon Goretzka, Ilkay Gundogan, Joshua Kimmich, Toni Kroos, Jamal Musiala, Florian Neuhaus

Sulmues: Serge Gnabry, Kai Havertz, Jonas Hofmann, Thomas Mueller, Leroy Sane, Kevin Volland, Timo Werner.


Ndeshjet e Gjermanisë në “Euro 2020”

15 qershor: Franca – Gjermania (21:00, Munich)

19 qershor: Portugalia – Gjermania (18:00, Munich)

23 qershor: Gjermania – Hungaria (21:00, Munich)