Diplomatët e të gjitha vendeve të BE-së që kanë pasur kryesimin e radhës nga fillimi i vitit 2023 e deri më sot me të cilët kemi biseduar, e kanë arsyetuar mosvendosjen e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në rend dite në Këshill vetëm me “mungesën e konsensusit” mes të gjitha vendeve anëtare”. Ka arsye të përmendet mungesa e progresit nga ana e Kosovës, edhe mospërmbushja e obligimeve nga dialogu, por ato janë vetëm justifikime dhe arsyetime që kanë për qëllim t’ia bartin Kosovës fajin për mosshqyrtimin e aplikimit të saj për anëtarësim në BE.
Së shpejti do të mbushen katër vjet prej kur Kosova kishte dorëzuar formalisht aplikimin për anëtarësim në BE. E bëri këtë nga fundi i presidencës çeke të Bashkimit Evropian, siç edhe e parasheh procedura. Prej kur Kosova dorëzoi kërkesën për anëtarësim nuk ekziston më asnjë vend në Evropë, i cili synon anëtarësimin dhe nuk e ka kërkuar atë formalisht. As Zvicra e Norvegjia e pasur, as Bjellorusia si diktaturë, nuk janë të interesuara për anëtarësim në BE. Nuk ka më asnjë vend në Evropë që është i anëtarësuar të bëhet anëtar i këtij blloku. Kosova ishte e fundit. Por Kosova mbetet i vetmi vend në kontinent, i cili dëshiron të bëhet anëtar i BE-së, e ka bërë kërkesën formale, por nuk e ka statusin e vendit kandidat. BE-ja vërtet ka bërë përpjekjet maksimale ta përfshijë Kosovën në procesin e anëtarësimit pa status kandidati, ta përfshijë edhe në projektet e “integrimit gradual” siç janë pjesëmarrja në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian, romingu dhe sistemi i pagesave Sepa. Po ashtu Kosova ka me BE-në një Marrëveshje Stabilizim Asociimi dhe sapo është shënuar dhjetëvjetori i hyrjes së saj në fuqi. Ajo MSA vazhdon të jetë baza përmes së cilës zhvillohen raportet kontraktuale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Për më tepër, BE-ja ka hequr masat pa precedencë ndëshkuese ndaj Kosovës të cilat, mes tjerash kishin suspenduar edhe punën e Komisioneve të përbashkëta nga MSA-ja dhe tash këto komisione janë përsëri duke funksionuar. Por ekziston limiti deri ku mund të shkojnë “akrobacionet ligjore” të institucioneve të BE-së në raportet me Kosovën pa pasure nevojë që Kosovën ta trajtojë formalisht si shtet të pavarur. Mosshqyrtimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim po dëshmohet të jetë viktimë e këtyre dallimeve lidhur me statusin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur.
Diplomatët e të gjitha vendeve të BE-së që kanë pasur kryesimin e radhës nga fillimi i vitit 2023 e deri më sot me të cilët kemi biseduar, e kanë arsyetuar mosvendosjen e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në rend dite në Këshill vetëm me “mungesën e konsensusit” mes të gjitha vendeve anëtare”. Ka arsye të përmendet mungesa e progresit nga ana e Kosovës, edhe mospërmbushja e obligimeve nga dialogu, por ato janë vetëm justifikime dhe arsyetime që kanë për qëllim t’ia bartin Kosovës fajin për mosshqyrtimin e aplikimit të saj për anëtarësim në BE.
Zyrtarë të BE-së, por edhe disa ekspertë që flasim bazuar në retorikën e institucioneve evropiane, përmendin edhe mungesën e progresit të duhur të Kosovës si arsye pse nuk po shqyrtohet aplikimi i Kosovës. Disa thonë se “kur të ketë më shumë progres në dialog me Serbinë atëherë mund të avancojë Kosova edhe drejt statusit të kandidatit”. Është një “ndoshta” e madhe rreth kësaj. Ndoshta vërtetë progresi në dialog mund t’ua zbusë zemrat atyre që kundërshtojnë që të shqyrtohet aplikacioni i Kosovës në Këshillin e BE-së. Ndoshta mund t’i inkurajojë shtetet kryesore me ndikimin më të madh, si dhe Komisionin Evropian dhe Shërbimin e Veprimit të Jashtëm (EEAS) që të gjejnë një rrugë për të nisur procesin pa pasur nevojë një vendim me unanimitet në Këshill, siç pretendojnë disa burime. Por edhe sikur Kosova të kishte progres shumë më të madh, edhe sikur të sillej në mënyrë edhe me konstruktive në dialog, askush nuk mund të garantojë se Këshilli i BE-së do të lëvizte me aplikacionin e Kosovës. Mund t’i premtohet Kosovës se “do të bëhen përpjekje” por jo edhe t’i jepen garanci se do të marrë statusin e kandidatit. Kosova ka përvoja edhe të mira edhe të këqija me premtimet e BE-së. Qysh në vitin 2007 kur doli Propozimi i Ahtisaarit, BE-ja nuk pati unitet për të mbështetur atë propozim, ani pse Kosovës i ishte thënë se nëse pranon ajo do ta mbështetë edhe BE-ja.
Ishte shumë e habitshme një deklaratë e Stephan Lehnes, njeriut kryesor të BE-së në procesin e negociatave për statusin e Kosovës në një intervistë me Veton Surroin, kur tha se në BE “madje ishin të befasuar”, sepse numri i vendeve që njohin Kosovën ishte më i madh sesa që ata pritnin. Lehne dhe të tjerët së pari nuk kanë qenë të angazhuar për t’u befasuar dhe për të pritur, por për të punuar që e tërë BE-ja ta njohë Kosovën, nëse Kosova shpall pavarësinë sipas propozimit ndërkombëtar, që Kosova edhe e bëri. Ndërsa se pesë vende nuk do ta njohin dhe të tjerat po u pa qysh në pranverë të vitit 2007 në një takim joformal të ministrave të jashtëm në Bremen të Gjermanisë. Atëherë ministri i Jashtëm gjerman, Steinmayer, dhe strukturat e BE-së nuk arritën të krijojnë konsensus në mbështetje të propozimit të Ahtisaarit. Një vit më vonë, kur Kosova shpalli pavarësinë, ndarja në BE mbeti e njëjtë, të njëjtat 5 shtete që nuk e kishin mbështetur Propozimin e Ahtisaarit nuk e mbështetën as pavarësinë e Kosovës. Është vërtet befasuese nëse unë si gazetar e kam ditur saktë, pak a shumë me ndonjë ndryshim në renditje kohore, se cilat shtete të BE-së do ta njohin pavarësinë e Kosovës e cilat jo, ndërsa njeriu kryesor i BE-së këtë të mos e ketë ditur në atë kohë dhe të ketë mbetur i befasuar me numrin e madh të njohjeve.
Por kishte edhe shembuj se si BE-ja mbajti premtimin. Gjeti rrugëdalje për të vendosur marrëdhënie kontraktuale me Kosovën përmes MSA-së dhe po ashtu edhe për të liberalizuar vizat për Kosovën, duke siguruar njohjen e pasaportave edhe nga ato pesë vende që nuk e njohin Kosovën si shtet.
Kosova pa dyshim duhet të bëjë çmos nga ana e saj që të mos mbetet përgjegjëse për mungesën e statusit të kandidatit. Kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës në BE do të jenë rehat përderisa të ketë arsye për ta drejtuar gishtin nga Kosova për mungesë të progresit në rrugëtimin evropian. Por nuk është e saktë se ky progres ka penguar deri tash Kosovën që të marrë statusin e vendit kandidat. Pa dashur të nënçmojmë vendet e tjera kandidate, ka vende që i kanë performancat edhe më keq sesa Kosova në shumë fusha dhe kanë status kandidati.