Support TIME. Preserve the truth.
Finances

Food prices rise by 7.8%, citizens demand measures from the Government

Prices

Çmimet e ushqimeve janë rritur për 7.8 për qind këtë vit. Qytetarët kërkojnë masa nga Qeveria, ndërsa ekonomistët e shohin si të nevojshëm ndryshimin e politikave fiskale. Sipas ASK-së, rritja vjetore e çmimeve është ndikuar nga rritja e çmimit te transporti në masën 23,9 për qind. Rritje e çmimeve është shënuar te të gjitha kategoritë, me përjashtim të grupit: shërbimet arsimore, ku është shënuar rënie prej 0.3 për qind

Çmimet e konsumit në shtator janë rritur për 7.8 për qind krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar.
Ndërkohë, krahasuar me gushtin e këtij viti, sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, i publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit janë rritur për 0.2 për qind.

Rritjen e çmimeve qytetarët po e ndiejnë drejtpërdrejt në buxhetet familjare.

Disa prej tyre thonë se shtrenjtimi i produkteve bazë lidhet edhe me, siç shprehen, mosfunksionimin e institucioneve dhe mungesën e masave për frenimin e rritjes së çmimeve.

“Deri tash s’kemi pasur as shtet, as qeveri, kuptohet. Çmimet kanë shkuar qysh kanë dashtë vetë. Shpresoj prej tash mos po bën diçka qeveria, po i rrit rrogat e pensionerëve e le të bien pak çmimet, se kështu marum. Marre, turp”, ka thënë Nezir Ukaj, qytetar.

Kritik është shprehur edhe qytetari tjetër, Mustaf Vitija.

“Çka është prej një rroge ose pensioni, ai s’mundet bukë thatë me u ngi, po tash puna u ndalu gjithkund, me punu s’janë t’u punu. Qeveria tek tash, ishalla merr masa edhe për pensionet”, ka thënë ai.

Kjo rritje vjetore e çmimeve, sipas ASK-së, është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimit te transporti që është 23,9 për qind. 

Ekonomisti Shkumbin Misini vlerëson se ndryshimi i politikave fiskale është nevojë emergjente për tregun e Kosovës.

“Kjo rritje tregon që çdo ditë popullata e Kosovës është duke u varfëruar edhe më tutje. Ndryshimi është emergjent në ndryshimin e politikave fiskale. Çka përfshin ndryshimi i politikave fiskale? Ndryshimi i politikave fiskale përfshin heqjen e TVSH-së për produktet bazë dhe çdo akcizë që mund të jetë për produktet bazë me i largu. E dyta është bujqit të kenë politika më të favorshme për t’i mbjellë produktet e tyre bazë. E treta, produktet të cilat janë vendore të kishin qenë me një çmim pak më të lirë dhe konsumatorët kishin shkuar e kishin blerë ato produkte”, ka thënë Misini.

Rritje e çmimeve është shënuar te të gjitha kategoritë, me përjashtim të grupit: shërbimet arsimore, ku është shënuar rënie prej 0.3 për qind.

Ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka hapur procedurën për përzgjedhjen e tre anëtarëve të jashtëm të Bordit të Pavarur, të paraparë me Ligjin nr. 10/L-030 për masat e përkohshme për produktet themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Bordi do të vlerësojë nëse ka destabilizim të tregut dhe, në raste të tilla, mund të marrë masa të përkohshme për produktet themelore, përfshirë caktimin e çmimeve maksimale dhe marzhës tregtare.
KOHA të mërkurën e kaluar i ka dërguar pyetje MINTI-t, duke kërkuar të sqarojë se cilat masa pritet të ndërmerren përballë rritjes së çmimeve, si dhe nëse po shqyrtohet mundësia e uljes apo heqjes së TVSH-së për disa produkte, por deri në publikimin e tekstit, nga Ministria nuk ka marrë përgjigje.