I dyshuari për vrasjen e 29-vjeçarit në Pogragjë të Gjilanit dyshohet të jetë babai i viktimës, i cili është ende në arrati. Policia ka gjetur veturën me të cilën dyshohet se ai është larguar, ndërsa komuna, të hënën, në një mbledhje urgjente, ka kërkuar shtimin e kontrolleve policore për armëmbajtje pa leje
I dyshuari për vrasjen e 29-vjeçarit në Pogragjë të Gjilanit të dielën në mbrëmje, ende ndodhet në arrati.
Sipas zëdhënësit të Policisë në Gjilan, Ismet Hashani, për rastin i dyshuar është babai i viktimës.
Në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar 3 armë, 68 fishekë e 4 gëzhoja.
“Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një pushkë gjuetie, një pushkë zjarri M48, një pistoletë (pa krehër), 68 fishekë dhe 4 gëzhoja. I dyshuari gjendet në kërkim policor”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë”, u njoftua nga Policia.
By decision of the prosecutor, the dead body was sent to the Institute of Forensic Medicine for autopsy.
E gjatë së hënës është gjetur vetura me të cilën dyshohet se është larguar nga shtëpia personi i kërkuar nga Policia, ka bërë të ditur zëdhënësi Hashani.
“E reja është se është gjetur një veturë, me të cilën dyshohet se personi i kërkuar është larguar nga shtëpia e tij. Vetura nuk është gjetur shumë larg, ndoshta 3-4 kilometra prej shtëpisë së tij. Detajet e tjera do t’i dimë në vazhdim, pasi personin e kërkuar ende nuk e kemi takuar”, tregoi Hashani.
Një rast tjetër tragjik në Gjilan ndodhi të premten, kur u vranë vëlla e motër. I dyshuar është burri i viktimës, që tashmë është arrestuar.
Për shkak të këtyre ngjarjeve, të hënën është mbajtur mbledhje urgjente e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, të cilën e ka kryesuar kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni
“Gjatë mbledhjes kërkova zyrtarisht rritjen e kontrolleve policore për armëmbajtje pa leje dhe shtimin e prezencës së policisë në shkolla për të garantuar sigurinë e fëmijëve tanë. Si institucione komunale kemi ofruar bashkëpunim të plotë e të pakursyer me organet e rendit, ndërsa secili përfaqësues institucional mori për obligim një angazhim të shtuar për të parandaluar ngjarje të tilla në komunën tonë”, ka njoftuar Hyseni.
Vrasja e dyfishtë të premten ndodhi në fshatin Livoç i Ulët i Gjilanit. Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.