Kompletim të bordeve e shqyrtim në lexim të dytë të projektligjeve, është agjenda e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, që do të mbahet të enjten. Ky takim i deputetëve në seancë është i pari i tillë pas zgjedhjes së presidentes Justina Shiroka-Pula
Deputetët do t’u kthehen diskutimeve në Kuvend të enjten.
Në mbledhjen e mbajtur të hënën, kryesia e legjislativit ka vendosur që seanca plenare të mbahet në orën 10:00.
Në rend dite, ligjvënësit kanë përzgjedhjen e dy anëtarëve të bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, formimin e komisionit për përzgjedhjen e katër anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe emërimin e deputetëve të Listës Serbe në komisionet parlamentare.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka veçuar shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e pastrimit të parave dhe luftimin e terrorizmit.
Miratimi i tij, është pjesë e veprimeve që Kosova duhet të ndërmarrë në procesin drejt Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
“Apo i njohur ndryshe si një projektligj i cili është shqyrtuar edhe në legjislaturën e kaluar për shkak të rëndësisë që ka dhe për shkak të domosdoshmërisë që të miratohet më shpejt, sepse përveç që kursen dhjetëra miliona euro nga buxheti i vendit është edhe një projektligj i rëndësishëm që ne të jemi të zonës së njëjtë të vendeve të rajonit”, ka thënë Nagavci.
Nga mbledhja e kryesisë, nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, ka theksuar diskutimet që ka thënë se janë bërë për agjendën e diplomacisë parlamentare.
“Për PDK-në dhe krejt Kuvendin e Kosovës, siç jemi shprehur me deklaratën që kemi miratuar, dy gjëra janë të rëndësisë së veçantë: procesi i Apelit në Hagë dhe Këshilli i Evropës”, ka thënë Çitaku.
Agjenda legjislative e Qeverisë, në bazë të së cilës planifikohet që deri në fund të këtij viti të miratohen mbi 60 ligje, është konsideruar problematike nga shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Pyetja thelbësore që sot i shtrohet shumicës parlamentare është se qysh ka mundësi këto 60 ligje në këtë kohë, në këtë periudhë të prodhojnë një kualitet, drejtim strategjik? Ne mendojmë që ky është një problem thelbësor që do të adresohet në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Seanca e së enjtes, është e para pas zgjedhjes së presidentes Justina Shiroka-Pula.