Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

In a few months, clinics will be left without 60 specialists

UCCK

QKUK-ja e spitalet rajonale në vazhdimësi kanë kërkuar shtim të stafit profesional. Situata mund të rëndohet në fund të vitit kur për rreth 60 specializantë do të përfundojnë kontratat. Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar ka bërë të ditur se mjekët specialistë që kanë përfunduar specializimin me financim të institucionit nuk mund të punësohen automatikisht pa kaluar nëpër procedurat e konkursit publik

Në fund të vitit, rreth 60 specializantëve pritet t’u përfundojë kontrata me Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Pas specializimit, ata do të duhet të presin për punësim në një kohë kur shumë klinika të Qendrën Klinike dhe Universitare (QKUK) e spitale rajonale kanë kërkuar shtim të stafit profesional.

Në një sqarim të enjten, zyrtarë të SHSKUK-së kanë insistuar se mbarëvajtja e punës me pacientë nuk do të afektohet dhe se specialistët e rinj nuk mund të punësohen pa konkurs.

“SHSKUK-ja sqaron se praktika e kontratave me kohë të caktuar pa konkurs publik nuk mund të aplikohet, pasi një veprim i tillë do të binte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vendimet e prera gjyqësore dhe Ligjin e Punës në fuqi. Njëkohësisht, SHSKUK-ja siguron opinionin publik se të gjitha shërbimet shëndetësore në QKUK dhe në spitalet rajonale vazhdojnë të ofrohen me kapacitet të plotë dhe se mbarëvajtja e punës me pacientë nuk do të afektohet në asnjë moment”, thuhet në sqarim.

Institucioni i është referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2025, që ka të bëjë me një specialiste e cila kërkoi kompensim të pagave për periudhën pas përfundimit të specializimit, pasi nuk ishte punësuar.

Në këtë rast, Kushtetuesja shpalli kërkesën të papranueshme, duke vlerësuar se nuk është dëshmuar shkelje e së drejtës për gjykim të drejtë.

“Gjykata nuk mund të konstatojë se ka shkelje të së drejtës në Gjykatë të Themeluar me Ligj dhe rrjedhimisht këtë pretendim e vlerëson si pretendim që bie në kategorinë e tretë (iii) pretendime ‘të pambështetura apo të paarsyetuara’; dhe si të tillë e refuzon në bazë të rregullit 34(2) të Rregullores së punës së Gjykatës”, thuhet në aktgjykim.

KOHA ka raportuar vazhdimisht për mungesën e stafit në klinikat e QKUK-së, ku vetë drejtuesit e tyre kanë kërkuar shtimin e numrit të punëtorëve shëndetësorë.

Më 6 korrik, drejtuesit e tri klinikave të QKUK-së – Kardiokirurgjisë, Neurokirurgjisë dhe Onkologjisë janë shprehur se stafi nuk është i mjaftueshëm për të përballuar nevojat e pacientëve.

Ata kanë thënë se për këtë çështje tashmë kanë dorëzuar edhe kërkesa përkatëse në institucionet përgjegjëse.

KOHA të enjten ka dërguar pyetje në SHSKUK dhe në Ministrinë e Shëndetësisë nëse, pas përfundimit të kontratave të mjekëve specializantë, është planifikuar hapja e ndonjë konkursi, por nuk ka marrë përgjigje.