Support TIME. Preserve the truth.
EVENING NEWS

Clashes in Parliament over Mediterranean Games and Police uniforms

the parliament of Kosovo

Një ngjarje sportive, për të cilën Kosova ka marrë obligimin ta organizojë më 2030, ka nxitur debat mes dy ministrave të Qeverisë Kurti e deputetëve të partisë opozitare, PDK. Në seancën e së enjtes, ministri i Sportit, Blerim Gashani, pranoi se ka shqetësime për organizimin e kësaj ngjarjeje, por tha se janë duke punuar që të adresojnë të gjitha vështirësitë. Polemika mes deputetëve e qeveritarëve pati edhe për çështje të tjera

Debati mes zyrtarëve të Qeverisë dhe atyre të Komunës së Prishtinës për Lojërat Mesdhetare 2030 është bartur të enjten edhe në Kuvendin e Kosovës.

Shqetësimin për organizimin e tyre e ka ngritur deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha. Ajo ka kritikuar institucionet për fajësimin e njëra-tjetrës, dhe ka thënë se përgjegjësia nuk mund t’i mbetet vetëm Prishtinës si qytet mikpritës i kësaj ngjarje.

“Më vjen shumë keq kur shoh se si aq me zell pengohen projektet në kryeqytet, dhe se si beteja politike, në vend se t’i shërbejë vendit për të përmirësuar shërbimet e jetës së qytetarëve, bëhet instrumenti për dështimin e kundërshtarëve”, ka thënë ajo.

Shqetësimin me deputeten Hoxha tha se e ndan edhe ministri i Sportit, Blerim Gashani. Por, sipas tij, bëhet fjalë për vështirësi në komunikimin ndërinstitucional, e jo për rrezikim të humbjes së organizimit të kësaj ngjarje.

“Gjatë vitit 2025 është vendosur që njëri nga parimet bazë të Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ të shkelet. Cili është ai? Njëri nga parimet bazë të Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ është përfshirja gjeografike, përfshirja e krejt Kosovës”, ka thënë Gushani.

Kjo nxiti replikë te deputetja Hoxha.

“Kjo ka qenë thelbi i problemit dhe përplasjes midis nivelit qendror dhe nivelit lokal, qëllimshëm nga fillimi, sepse nuk keni dashur t’i lejoni që ato të mbahen në Prishtinë dhe investimet të shkojnë në kryeqytet dhe kjo betejë politike e ka dëmtuar kryeqytetin dhe ka me e dëmtu Kosovën”, ka thënë ajo.

Në debat u përfshi edhe ministri tjetër i Qeverisë Kurti, ai i Infrastrukturës, Dimal Basha.

“Derisa Përparim Rama po insiston me i sjellë ato vetëm në kryeqytet, kjo është në interesin e të gjithë deputetëve me u interesu prej qyteteve kah vijnë, mos me leju që Lojërat Mesdhetare me u mbajtë në Prishtinë e jo me largu – Prizrenin, Gjakovën dhe Pejën. Ky është debati dhe mospajtimi mes nesh”, ka thënë Basha.

Hoxha ka reaguar sërish.

“Për kolegun Basha, veç një sqarim: Titullari është Prishtina 2030, jo Peja, Gjakova, Prizreni, Kosova 2030, qysh doni vendosjani emrin. Është shumë me rëndësi me kuptu që projektet kapitale të komunave janë edhe të shtetit, veç këtë duheni me kuptu”, ka thënë deputetja e PDK-së.

Por, ministri Basha ka insistuar se Lojërat Mesdhetare duhet të shtrihen në të gjithë Kosovën.

“Nuk është politike, sepse nuk janë komuna të udhëhequra nga LVV-ja, por komuna të kryesuara nga subjektet e tjera politike”, ka thënë ai.

Në seancën e së enjtes, diskutim u bë edhe për uniformat e Policisë. Derisa nga opozita ngritën shqetësimin për gjendjen e tyre dhe furnizimin me to, por nga Qeveria fajin ua lanë procedurave të prokurimit.

“Unë jam faktori i fundit që pastaj bëj verifikimin nëse procedurat janë ndjekur me ligj, jo në fillim. Po u përziva unë në fillim, atëherë ju do të vini me një akuzë që unë po merrem me detajet e një procesi të furnizimit”, u është përgjigjur akuzave ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Atij i ka replikuar deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

“Ministër, unë prapë të rekomandoj me u përzi në fillim, se ti apet po përzihesh në fund edhe po shkatërron gjithçka, po përzihesh në fund po i len pa uniforma. Përziju o burrë në fillim, thuaj ‘ti ke me marrë tenderin’, po mos i lërë policët pa uniforma”, ka thënë ajo.

Deputetët opozitarë adresuan kritika edhe për mungesën e kryeministrit Albin Kurti e anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar në seancë, pa të cilët, sipas tyre, po mbesin pa përgjigje dhjetëra pyetje parlamentare.