Ish-presidentja dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar si “mashtrim të madh për qytetarët” iniciativën ligjore që synonte ndryshimin e mandatit të Gjykatës Speciale, duke thënë se ajo nuk prodhon asnjë efekt juridik, ndërsa i shkakton dëme Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Osmani ka thënë se me këtë iniciativë janë keqpërdorur ndjenjat e qytetarëve, të cilët, sipas saj, ishin të shqetësuar për të vërtetën historike të Kosovës dhe narrativat e Serbisë.
“Më duhet të them me keqardhje jashtëzakonisht të madhe që ky ligj, vetë iniciativa për këtë ligj, i cili në esencë kishte për qëllim ta ndryshonte mandatin e Gjykatës Speciale, në vetvete është mashtrim i madh për qytetarët”, ka deklaruar Osmani.
Sipas Osmanit, iniciativa jo vetëm që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës, por njëkohësisht rrezikon të dëmtojë pozitën ndërkombëtare të vendit.
Ajo ka theksuar se Kosova, përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare të vitit 2014, ka marrë obligime lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale, të cilat nuk mund të ndryshohen vetëm përmes një vendimi të Kuvendit.
Sipas saj, për çdo ndryshim të mandatit kërkohet konsultim me Bashkimin Evropian.
“Lëre që s’është në përputhje me Kushtetutën dhe me obligimet ndërkombëtare që Kosova i ka marrë në vitin 2014, por në të njëjtën kohë i krijon një dëm jashtëzakonisht të madh Kosovës ndërkombëtarisht, përderisa efektin juridik e ka zero”, është shprehur presidentja.