Anthony Joshua ka njoftuar se është në prag të varjes së dorëzave të boksit dhe se mund të investojë në një kompani të madhe të veshjeve sportive kur të pensionohet.
37-vjeçari Joshua do të ngjitet sërish në ring muajin e ardhshëm për t’u përballur me Tyson Furyn.
Por Joshua, i cili shkoi në Marbella për kamp stërvitor për përgatitje, ka lënë të kuptohet se nuk i kanë mbetur edhe shumë luftëra të profilit të lartë.
Dy herë kampioni i botës në peshën e rëndë debutoi në boksin profesionist para 13 vjetësh.
Por ai kishte bërë emër duke e fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Londra 2012”.
Britaniku ka pranuar se pensionimi është afër pas statistikave prej 30 fitoreve e 4 disfatave.
“Nuk më besohet se jam 37-vjeçar. Është e pabesueshme”, ka theksuar Joshua në një intervistë për “The Sun” të enjten.
“Kur do të pensionohem? Shumë shpejt. Po plakem. Nga një pikëpamje e një sportisti, unë po plakem. Kështu që ndoshta kur të bisedojmë herën tjetër, mund të jetë për planet pas boksit, sepse kjo do të vijë shumë shpejt. Nuk kam edhe shumë vjet para”.
Joshua ka pasur marrëveshje të majme sponsorizuese me “Under Armour” që prej vitit 2015.
Ai nënshkroi kontratë afatgjate me brendin e veshjeve sportive në mars të vitit 2024.
Dhe Joshua rregullisht është paraqitur në kampanjat globale të marketingut.
Superylli i boksit ka refuzuar të tregojë për mundësinë e blerjes së aksioneve te kjo kompani, kur të largohet nga ringu përfundimisht.
“Unë bëj çfarë mundem. Jetoj me atë që kam nevojë, jo me atë që e dua. Dhe kjo ka funksionuar. Mendoj se kur të pensionohem, do të isha më i qetë dhe do të shikoja nëse do të investoja tek ‘Under Armour’, apo të kem aksione në këtë kompani. Deri tani jam i kënaqur”.
Paraqitja që mund të jetë e fundit e Joshuas, do të jetë ajo me Tyson Furyn. Meçi do të zhvillohet më 11 dhjetor në Cardiff.
Është vlerësuar si njëri prej meçeve më të mëdha të boksit në Britaninë e Madhe.