Support TIME. Preserve the truth.
EVENING NEWS

UP students refuse to meet with the rector without his apology

student-protest

Bojkoti i mësimit nga studentët e Mjekësisë për shkak të detyrimit për evidentim të vijueshmërisë me QR-kode, ka vazhduar. E, atyre të enjten, në përkrahje u dolën edhe studentë të fakulteteve të tjera. Në një protestë, ata kërkuan nga rektori i UP-së që të kërkojë falje për gjuhën, sipas tyre, fyese e kërcënuese. Disa kërkuan edhe dorëheqjen e tij

Bojkoti i mësimit në fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës (UP) ka vazhduar, e të enjten para Rektoratit u mblodhën studentë të shumë fakulteteve, duke kërkuar nga rektori Arben Hajrullahu të tërhiqet nga deklaratat që ata i konsiderojnë fyese e kërcënuese.

Rektori u ka shkruar një email studentëve të Mjekësisë, përmes së cilit ka paralajmëruar pasoja për bojkotimin e mësimit në Mjekësi. Në të është theksuar se pasojat janë jo vetëm përsëritje e vitit të studimit, por edhe humbje e së drejtës për të qenë student i UP-së. Kurse, për stafin akademik që nuk paraqitet në punë për shkak të bojkotit, ka paralajmëruar ndalesa në pagë deri në shkëputje të kontratës.

Në oborrin e Rektoratit, studentët u ftuan nga rektori për takim, por nuk pranuan pa kërkimfalje nga ana e tij.

Skanimi i vijueshmërisë përmes QR-kodeve nuk pranohet nga studentët, të cilët tashmë një javë e vazhdojnë bojkotin në Fakultetin e Mjekësisë.

E-maili i rektorit, ku krahas paralajmërimit të pasojave të pariparueshme nëse bojkoti vazhdon, si dhe një deklaratë e tij, në të cilën ka thënë se “neve nuk na ka ndalur mësimin regjimi serb, e po na e ndalin dy-tre keqbërës”, bën që studentët, pos kërkimfaljes, të kërkojnë edhe dorëheqjen nga ai.

“Para se të merresh me kërcënimin e studentëve, merru me përgjegjësitë që të takojnë, ushtro kompetencat tua dhe zbato rregulloren në secilën njësi akademike. Sigurohu që marrëveshjet me studentët të zbatohen. Vepro kundër uzurpatorëve universitarë që prej vitesh e kanë ngulfatur kampusin tonë. Rektor, ktheja universitetin studentëve ose tërhiqu. Dorëheqje, dorëheqje!”, ka thënë Flon Kastrati, përfaqësues i Parlamentit Studentor të UP-së.

Kritik është treguar edhe Dion Bajramaj, përfaqësues i Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë.

“Nuk e kishim besuar që dikush në vitin 2026 na krahason me aparatin serb vetëm pse studentët janë bashkuar dhe janë ngritur për të drejtat e tyre. Nuk do të ndalemi derisa rektori të marrë përgjegjësi dhe derisa Këshilli Drejtues të marrë masa. Akti moral është kërkimfalja dhe dorëheqja”, ka thënë ai.

E studenti i Mjekësisë, Jon Haziraj, tha se është i dështuar sistemi me QR-kode, shkaku i të cilit janë bojkotuar ligjëratat e ushtrimet.

“Ky rektor, së pari, me një qasje autoritare na ka detyruar ta përdorim një platformë jofunksionale, ku të gjithë studentët jemi dëshmitarë se përmes kësaj platforme studentët që janë në sallë nuk regjistrohen, ndërsa studentët jashtë sallës regjistrohen. Është një platformë e dështuar. Në vend të tërheqjes, ai ka zgjedhur të na kërcënojë, e jo sepse ne jemi universiteti...”, ka thënë ai.

Ndërkaq, rektori Hajrullahu u shpreh se nuk ka pse të kërkojë falje.

Sipas tij, pretendimet e ngritura nga studentët, mund të jenë të dirigjuara nga politika.

“Unë i garantoj secilit student e profesor që nuk do të ketë asnjë pasojë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nëse nuk ka funksionuar ndonjë aparat dhe nuk është realizuar ndonjë obligim kontraktual. Kjo nuk do të ndodhë. Ne jemi në rrugëtim të digjitalizimit. UP-ja ka nevojë për ndihmë më të madhe dhe i ftoj për dialog. Ka nevojë për buxhet më të madh. Po ashtu, i ftoj në këtë rast, meqenëse çështja është për Fakultetin e Mjekësisë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Arsimit që të vijnë në universitet, të bëhen palë për reforma dhe progresin e mëtejmë, e të mos e anashkalojnë universitetin, siç po ndodh tash e muaj të tërë”, ka thënë rektori.

Evidentimi i vijueshmërisë përmes QR-kodeve nga studentët e Mjekësisë bojkotohet prej më shumë se një viti, kurse në dy javët e fundit po bojkotohet edhe procesi i studimeve.