Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Disapproval of the reform package, an obstacle to progress in justice

Commercial Court: many problems, few solutions!

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën ka theksuar që nuk ka përparim sa i përket sistemit të drejtësisë në Kosovë. Lidhur me këtë, juristët thonë se nuk ka ndonjë tentativë serioze për reflektim institucional në mënyrë që të adresohen mangësitë dhe rekomandimet

Ish-avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka vlerësuar se është fatkeqësi që Kosova nuk ka ndonjë mekanizëm institucional që angazhohet për zbatimin e gjetjeve në sistemin e drejtësisë nga organizatat ndërkombëtare, dhe për përmirësimin e situatës.

Si në shumë fusha, raporti i progresit për Kosovën ka potencuar që nuk ka pasur përparim as në sistemin e drejtësisë.

“Jemi lodhur duke thënë që, po, sistemi i drejtësisë i ka këto probleme sistemore, ka zvarritje të procedurave, është besimi i humbur, jotransparent e të gjitha këto. I gjeni edhe në të gjitha raportet e mëhershme. Këto rekomandime janë dorëzuar gjithashtu edhe në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Jashari. “Mirëpo, nuk ka një mekanizëm adekuat brenda Kuvendit që këto rekomandime prej këtyre organizatave, duke përfshirë edhe Komisionin Evropian që i shqyrton dhe mban përgjegjës dhe llogaridhënës këdo që është përgjegjës për një sektor të caktuar”.

Si pengesë në pavarësinë e gjyqësorit, BE-ja përmend ndikimet e ndryshme, duke përfshirë edhe ato politike dhe ekonomike. Ndërsa, mosmiratimi i projektligjeve në pakon e reformës në drejtësi, sipas BE-së, e pengojnë përmirësimin në këtë fushë.

Avokati Ardian Bajraktari thotë se ka mungesë të vullnetit për t’i adresuar gjetjet e BE-së.

“Shqetësuese vazhdon me qenë fakti se nuk ka ndonjë tentativë serioze për të reflektuar në raport me gjetjet e viteve paraprake, për çka shfaq mungesë të theksuar të vullnetit për t’i adresuar të gjitha këto çështje, të cilat për bindjen time, për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit veçse gjetjet janë më të mëdha dhe shqetësuese”, ka thënë Bajraktari.

Bajraktari ka thënë se duhet të jetësohet sa më parë pakoja e ligjeve për reformat në drejtësi e cila, sipas tij, do të adresojë në masë të madhe përgjegjësinë dhe llogaridhënien brenda sistemit të drejtësisë.

“Duhet një angazhim jashtëzakonisht i madh edhe i politikës në drejtim të hartimit të ligjeve më të mira, por natyrisht edhe i mekanizmave që janë përgjegjës për ta administruar sistemin e drejtësisë, siç është Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial, sepse instancë e fundit janë këto që duhet të marrin aktivitete, vendime dhe veprime për t’u adresuar kjo papërgjegjësi, e cila në masë të madhe shfaqet në sistemin tonë të drejtësisë”, ka thënë ai.

E avokati Jashari thekson se gabim i madh është që nuk ka ndonjë mekanizëm që kur ligjet hyjnë në fuqi, të vlerësohet se a kanë prodhuar efekt dhe ku janë stagnimet.

“Tek ne nuk e kemi as atë mundësi për ta parë pse disa prej ligjeve që janë në fuqi sot e kësaj dite, nuk prodhojnë kurrfarë efekti për qytetarin dhe nuk e dinë qytetarët fare ekzistencën e atij ligji, sepse është totalisht i pazbatueshëm”, ka thënë Jashari. “Është problem kronik dhe sistemor i sistemit tonë. Këto probleme kanë me u përsëritë nëse merresh me probleme të vogla, parciale – rregullo diçka dhe në anën tjetër atë pasqyrën e madhe e ke harruar sigurisht që s’ka me prodhu kurrfarë efekti”.

Raporti për Kosovën shtron nevojën për forcimin e llogaridhënies dhe efikasitetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, rastet e dhunës, duke përfshirë edhe ato në baza gjinore.

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, në Raport thuhet se Kosova ka shënuar progres në këtë fushë.