Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

40 percent of healthcare expenses are paid by citizens

UCCK

Mijëra euro të shpenzuara nga pacientët për barnat që duhet t’i sigurojë shteti, ndërkohë miliona euro të ndara për sektorin e shëndetësisë nuk janë shpenzuar. Këto janë vërejtjet kryesore në Raportin e Progresit të BE-së për vitin 2025. E deputetë nga opozita, pos kritikave për Ministrinë e Shëndetësisë për mosmenaxhim të duhur të buxhetit, kërkuan nga ajo të rimbursojë qytetarët që kanë blerë barna që janë pjesë e listës esenciale

Në raportin e progresit për Kosovën, Komisioni Evropian ka kritikuar menaxhimin financiar në sektorin e shëndetësisë, duke vënë në pah se, ndonëse buxheti për vitin 2025 arriti në 358.8 milionë euro, një pjesë e këtyre mjeteve mbeti e pashpenzuar. 

Sipas raportit, shpenzimet e drejtpërdrejta nga xhepi i qytetarëve për shëndetësi arrijnë në rreth 40 për qind, ku barrën më të madhe për qytetarët vazhdojnë ta përbëjnë shpenzimet për barna, të cilat prekin veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta.

Komisioni Evropian ka vlerësuar se edhe blerja strategjike e produkteve shëndetësore mbetet e pamjaftueshme.

E në seancën e së enjtes, deputetja nga Aleanca, Albana Bytyqi, kërkoi që Ministria e Shëndetësisë t’ua rimbursojë pacientëve paratë e shpenzuara për barnat që në bazë të ligjit, duhet t’i sigurojë shteti.

“Ka gra në Kosovë që po luftojnë me kancerin dhe deri më tani kanë blerë barna deri në 10 mijë euro, të cilat nuk ka arritur t’i sigurojë Ministria e Shëndetësisë. Në klinikat përkatëse të Ministrisë së Shëndetësisë janë me dhjetëra, qindra pacientë, të cilët kanë blerë barna për shërim dhe i kanë dokumentuar të gjitha shpenzimet”, ka thënë Bytyqi. “Kërkesa jonë është në tri pika: të rimbursohen faturat për pacientët që kanë blerë me mjete vetanake barnat për shërim dhe, së dyti, të ndahet më shumë buxhet për Ligjin për Sigurime Shëndetësore”.

E, deputeti i Lidhjes Demokratike, që ka qenë edhe ministër i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka ngritur çështjen e mosshpenzimit të buxhetit në kohën kur pacientët vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave dhe të shërbimeve esenciale.

Zemaj, si shkak të mundshëm të kësaj situate, përmendi tenderët njëburimorë.

“Megjithatë, një pjesë e mjeteve nuk ka arritur të shpenzohet, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave dhe shërbimeve esenciale. Kjo është pyetja që duhet t’i përgjigjet qeveria: si është e mundur që kemi miliona në dispozicion, ndërsa pacientët detyrohen t’i blejnë vetë barnat dhe terapitë? A është në pyetje paaftësia, keqmenaxhimi apo tenderët njëburimorë? Unë besoj se është kjo e fundit”, ka thënë Zemaj.

KOHA ka raportuar vazhdimisht për mungesë të barnave nga lista esenciale, si dhe për rastet kur pacientët janë detyruar të shpenzonin mijëra euro nga xhepi për terapitë që do të duhej t'i siguronin institucionet publike.