Bazuar në një studim të mëhershëm të Institutit GAP, Fadil Nura, i cili mandatin e kryetarit të Komunës së Skënderajt e ka marrë në vitin 2021, ka bërë gjithsej 66 premtime elektorale. Prej tyre, sipas GAP-it, 32 kanë përfunduar, 16 janë gjysmë të përfunduara, 13 të filluara, e 5 nuk kanë nisur
Fabrikë e përpunimit të drurit dhe produkteve të betonit ishte planifikuar të ndërtohej në vendin ku tre vjet pas arritjes së marrëveshjes mes Komunës së Skënderajt dhe një investitori, janë vetëm disa konstruksione të papërfunduara betoni.
Projekti me vlerë 4 milionë euro dhe me potencial për 100 vende të reja pune u paralajmërua si investimi më i madh në këtë komunë.
Për këtë qëllim, një pronë komunale në fshatin Polac, përfshirë edhe pjesë të oborrit të një shkolle, iu dhurua falas një grupi të interesit për 99 vjet.
Asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hysni Mehani, e konsideron këtë jo vetëm si nga dështimet më të mëdha të pushtetit të tashëm komunal, të drejtuar nga PDK-ja, por edhe me pasoja për një pjesë të trashëgimisë historike. Ai, si edhe të tjerë përfaqësues të opozitës numërojnë shumë premtime të papërmbushura, sidomos në shërbime dhe infrastrukturë, por thonë se vetëm një gjë e ka premtuar dhe realizuar pushteti - marrjen e pronave publike.
“Një prej dështimeve më eklatante të kësaj qeverie është dështimi për investitorët. Këta e patën portretizuar si një investim shumë të madh fabrikën e betonit në Polac. Patën marrë aty pronën e komunës edhe të shkollës. E kanë rrënuar shkollën dhe e kanë portretizuar atë si një ndërtim shumë të madh në ndërkohë kanë dështuar totalisht sepse edhe sot e kësaj dite ajo vazhdon me qenë një prej dështimeve më klasike. Shkollën, e patën marrë vetëm pjesën e oborrit, shkolla ka vazhduar me mbetë. Shkolla përfaqësonte trashëgiminë historike të arsimit në Skënderaj dhe ne kemi insistuar që ajo shkollë të mbetet si monument ku e dëshmon historikun e shkollës. Kur janë mbyllur shkollat në Skënderaj ajo shkollë ka shërbyer si shkollë gjimnazi për shumë gjenerata. Është një krim i dyfishtë, në njërën anë është premtuar investim dhe ka dështuar, në anën tjetër është rrënuar edhe shkolla që përfaqësonte trashëgiminë historike të qytetit tonë”, ka thënë Mehani.
“Pjesa e opozitës dhe banorët e zonave përreth e kemi kundërshtuar me arsyetimin se kjo shkollë ka histori, ka një trashëgimi kulturore e cila daton nga 1963. Dhe gjatë viteve të 90-të krahas shkollës fillore është zëvendësuar edhe gjimnazi pasi që në Skënderaj për shkak të masave të dhunshme të forcave serbe, nuk kanë mundur nxënësit me shku nëpër shkolla kështu që kjo shkollë e ka zëvendësuar. Kur një fabrikë e cila të ka premtuar 100 vende të punës, në vitin e parë e me kalimin e kohës edhe hapjen e vendeve të reja të punës e dyfishon zhgënjimin. Tash e sheh vetëm një shkollë të rrënuar dhe asgjë tjetër. Për katër vjet e sheh një gërmadhë, jo një shkollë, jo një fabrikë por gërmadhë”, ka deklaruar Kabashi.
Kryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, e pranon se komuna ia ka dhënë falas pronën investitorit për ndërtimin e fabrikës së përpunimit të drurit dhe produkteve të betonit.
Ai thotë se projekti ka ngecur për shkak të vonesave në realizim nga ana e investitorit, por nuk ka treguar nëse do të rishikohet marrëveshja me të.
“Ne kemi dhënë pronën falas, të gjitha këto i kemi implementuar, kemi nënshkruar kontratën dhe investitori ka pasur vonesa, është e vërtetë. Madje ka tejkaluar edhe afatet me ç’rast unë e kam bërë edhe një shkresë zyrtare ku kam thënë që duhet me ju përmbajtë afateve kontraktuale. Investitori është arsyetuar sigurisht me problemet e rritjes së çmimeve dhe problemeve që kanë qenë mendoj në nivel vendi. Problemet e furnizimeve, lufta në Ukrainë problemet që i kanë përcjellë bizneset, e kam mirëkuptuar. Ka nisur faza e parë të implementimit të fabrikës por që deri më tani duhet me pranu që ka ngecë, arsyet këto m’i ka dhënë dhe ne po presim”, është shprehur Nura.
Problemi me ujin e pijshëm dhe rrjetin e kanalizimit
Komuna e Skënderajt prej vitesh përballet me mungesën e ujit të pijshëm dhe të rrjetit të kanalizimit. Në mesin e vendbanimeve, banorët e së cilit me vite bashkëjetojnë me kundërmimin, janë ata të fshatit Polac. Përfaqësuesi i këtij fshati, Sabit Veliu, thotë se gjendja bëhet e padurueshme sidomos në kushtet e temperaturave të larta.
“Ne problemin numër një e kemi problemin me kanalizim. Diku 70-75 për qind e lagjes janë pa kanalizim. Pusat që i kemi, ekzistojnë sepse shumicat këtu furnizohet me ujë nga bunarët, janë me kanalizim e që është ujë i papijshëm. Problemin numër një e kemi me kanalizimin sepse këto shtëpi këtu, në këto temperatura, të gjitha erërat, të gjitha ndytësirat iu ndalen para shtëpisë. As nuk munden me hapë dritare, as nuk munden me dalë në oborr krejt shkaku i saj”, ka theksuar Veliu.
Kanalizimet shpeshherë vërshojnë brenda puseve, që për banorët janë i vetmi burim i sigurt për furnizim me ujë. Kjo thonë ata rrit pasigurinë për shëndetin, për më tepër që furnizimi nga rrjeti i ujësjellësit përcillet me reduktime të shpeshta e që zgjasin me ditë.
“Nuk mundemi me ditë as kur ka e as kur nuk ka. Një muaj ditë nuk ka asnjë pikë ujë, lëshohet gjysmë ore, ndërpritet. Me ujë jemi shumë keq, edhe me kanalizimet por uji send primar që pa ujë nuk mundemi të lëzivzim si qohemi në mëngjese me e pastrua fytyrën, duart, me përgatitë mëngjesin. Mas pari hajde te unë e sheh bidonët me ujë duke i bajtë prej qyteti sepse ujët në bunarë nuk është i pijshëm. Krejt kanalizimet që nuk janë rregulluar mirë u ka hy uji bunarëve”, ka shtuar banori i fshatit Polac, Veliu.
Për dy nga sfidat kryesore me të cilat përballen banorët e Komunës së Skënderajt - mungesa e ujit të pijshëm dhe rrjeti i kanalizimeve – kritikë ka shprehur edhe asamblisti i Nismës, Afrim Kabashi.
“Unë mundem me fol për preokupimin e banorëve jo vetëm në fshatin Polac por të gjitha fshatrat, është premtuar në fillim të mandatit zgjidhja e problemit të ujit ku edhe sot fshati Polac edhe fshatrat e tjera përballen me 3-4 ditë pa ujë, vjen pas 3-4 ditë e sidomos në sezone verore me nga një ose dy orë gjatë ditës. Është një problem shumë i ndjeshëm. E dyta, është pjesa e kanalizimeve që në fshatin Polac e edhe fshatra tjera e kemi të pazgjidhur. Është rrezikuar shëndeti i popullatës. Kemi derdhjen e ujërave të zeza në bunarë, te puset të cilën njerëzit e shfrytëzojmë për ujë të pijshëm”, ka thënë Kabashi.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysni Mehani, ka kujtuar se zgjidhja e problemit me ujë të pijshëm ishte një nga premtimet kryesore të kryetarit Fadil Nura gjatë fushatës. Ai ka kritikuar Nurën që për dështimet e tij e ka fajësuar pushtetin qendror.
“Telashi më i madh për të cilin po na shkruajnë çdo ditë qytetarët është mungesa e ujit të pijes edhe që këta nuk e kanë portretizuar këtë çështje dhe kanë zgjedhur me u viktimizuar madje as nuk janë të interesuar të punojnë. Tash janë 30 milionë euro kontrata nëse vetëm 10 për qind e saj po të ishte e destinuar te çështja e ujit të pijes, kjo punë kish përfunduar. Këta kanë zgjedhur të viktimizojnë qytetarin e Drenicës për ta fajësuar qeverisjen e nivelit qendror dhe për t’i marrë votat. ‘Albini nuk po na ndihmon’, pra është një logjikë e viktimizimit përderisa ai i ka 30 milionë euro kontrata të nënshkruara nuk e portretizon çështjen e ujit të pijes, nuk e portretizon ndërtimin e parkingjeve, çerdheve pra është një dëshirë për me u viktimizuar duke mos bërë asgjë”, ka deklaruar Mehani.
Ai e ka akuzuar pushtetin komunal, se në vend që të ndihen përgjegjës që nuk kanë përmirësuar shërbimet bazë të qytetarëve, ata mburren me fenomenin e ndërtimit të ndërtesave shumëkatëshe.
“Nuk është se këtu ka një prerje të qartë të zhvillimit dhe të projekteve. I lënë pas dore këtu është qytetari i Skënderajt. Pra po flasim për çështje ekzistenciale, për çështje bazike, jemi 25 vjet pas luftës. Në mirëqenien e qytetarit nuk ka ndryshuar asgjë. Intelektualët po heshtin, të rinjtë po ikin dhe këtu është njëfarë paradoksi ku përderisa intelektualët dhe rinia po e lëshojnë Skënderajn, po ndërtohen banesa. Përderisa nuk ki transport publik, përderisa nuk ka ujë të pijshëm, përderisa nuk ki parkingje pra nuk ka asgjë publike që ka me qenë si shenjë që e njeh këtë qeverisje. Nëse Skënderaj është zhvilluar dhe nëse ne e konsiderojmë zhvillim ndërtimin e objekteve të larta ku kanë përfituar disa individë”, ka shtuar Mehani.
Kryetari i Skënderajt, Fadil Nura, ka arsyetuar mungesën e ujit të pijshëm me politikat e institucioneve qendrore. Ai thotë se furnizimi me ujë është vështirësuar për shkak të infrastrukturës së vjetërsuar, por edhe për shkak të ndalimit të projektit për rritjen e kapaciteteve nga qeveria aktuale.
“Sfidë për Skënderajn mbetet furnizimi kryesor me ujë d.m.th. në këtë rast nga ujësjellësi i Mitrovicës në drejtim të Skënderajt sepse gypi ekzistues është i vendosur para 60 vjetësh dhe tashmë nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për furnizim me ujë të pijes. Jo vetëm për Skënderajn që është rritur tashmë por edhe për zonat rurale. Dhe kjo, është sfidë në vete që për qeverinë nuk është që është e kushtueshme por për buxhetin e komunës dhe mundësitë që kemi na janë të pamundshme për implementimin e atij projekti. Projekti i furnizimit me ujë nga Mitrovica, rritja e kapaciteteve që quhet e cila ka qenë procedurë e autoritetit qendror ndërkohë që me ardhjen e qeverisë së VV-së është larguar projekti për furnizimin e Skënderajt me ujë të pijes me ç’rast kjo ka qenë një goditje për qytetarët në përgjithësi ndërkohë që ne kemi vazhduar me shtrirjen e gypit nëpër zona rurale ndërkohë që po flasim mungesa e ujit është përgjegjësi në këtë rast e qeverisë dhe kompanive regjionale të ujësjellësit”, ka thënë Nura.
Kryetari Nura pranon se ka ende shumë punë për të bërë
Ndërsa për shtrirjen e rrjetit të kanalizimeve, kryetari Nura tha se ende ka shumë punë për të bërë, por Komuna është e kufizuar nga mungesa e mjeteve financiare.
“Ne kemi premtuar shtrirjen e rrjetit të kanalizimit sidomos nëpër zona rurale, kemi arritur në një masë të knaqëshme të arritjes së objektivave por që duhet të pranojmë që ka ende kërkesa dhe nevoja për trajtimin e ujërave të zeza sidomos në disa fshatra më të thella në kuptimin e zonave të thella malore. Dhe në përgjithësi pjesëve të caktume që nuk kemi mundur për shkak edhe të konfiguracionit gjeografik në të cilën shtrihen zonat në këtë rast fshatrat por që mund të them në masën diku 8 për qind sot fshatrat kanë kanalizim por që problem në vete mbetet mirëmbajtja e kanalizimeve sepse kemi sfida edhe në këtë drejtim sepse kanalizimet dojnë mirëmbajtje dhe dojnë mbikëqyrje të vazhdueshme për çka kapacitetet i kemi të limituara në këtë drejtim dhe nuk po arrijmë gjithmonë që shtrirjen e gypi përkatësisht funksionalizimin e tyre e pastaj mirëmbajtjen e tyre e kemi bukur sfiduese”, ka deklaruar Nura.
Kritika ndaj kryetarit Fadil Nura dhe qeverisjes së tij në Skënderaj erdhi edhe nga Naser Bajraktari, shef i grupit të asamblistëve nga Partia Ideali. Ai listoi premtimet e parealizuara gjatë këtij mandati.
“Gjatë qeverisjes së këtij mandati të kryetarit aktual ose kryetarit Fadil Nura, këta kanë ardhur me shumë premtime për këtë mandat qeveritar e për qytetarët por nuk janë realizuar. Kanë premtuar ndriçim publik në të gjitha fshatrat dhe lagjet, të cilën nuk e kanë bërë. Ka lagje dhe fshatra të cilat nuk janë të përfshira absolut. Kanë premtuar subqendra nëpër bashkësi lokale, disa vetëm kanë filluar dhe kanë mbetur të papërfunduar, edhe për mandatin e ardhshëm. Kanë premtuar, e cila është më zhgënjyese, kanë premtuar për banesat e familjeve të dëshmorëve, të cilën ata e kanë dhënë më të shtrenjtën për lirinë e këtij vendi, nuk është realizuar. Vetëm një gjë e kanë premtuar dhe realizuar është marrja e pronave publike, të cilët kanë bërë ndërtim pa kurrfar kriteri dhe këta e kanë plotësuar. Shihni Skënderajn është duke u ndërtuar pa kurrfarë kriteri ndërtesa ku kanë marrë prona për interesa personale. Kanë bërë shumë premtime dhe nuk e kanë realizuar”, ka theksuar Bajraktari.
Edhe ndërtimi i rrugës 4-kilometërshe, një premtim i kryetarit Fadil Nura, që lidh fshatin Dashefc me fshatin Polac, ka nisur në vitin 2022, por ende nuk është përfunduar. Kjo rrugë do t’i mundësojë banorëve daljen më të shpejtë dhe më të lehtë drejt qendrës së qytetit.
Afrim Kabashi tregoi për rëndësinë që ka ndërtimi i kësaj rruge për banorët.
“Është një premtim i parealizuar, është rruga që për banorët e fshatit Dashefc është interes i madh sepse u shkurtohet rruga për 4 kilometra e cila është nisur, është shtruar një kilometër e gjysmë zhavorr dhe sot e asaj dite nga 2022 ajo pjesë ka mbetë. Nga ajo ditë banorët e fshatit Dashefc dhe Bagsit duhet me shku rreth e përqark në Qerez, Prellofc d.m.th. me dalë në pjesën tjetër apo duhet me dalë në Polluzhë, e me ardhë në Polacë, e me ardhë në Skënderaj, kur është rruga që i lidh, 4 kilometra. D.m.th. është një problem, një preokupim sepse edhe u ka premtuar edhe nuk është realizuar”, është shprehur Kabashi.
Kryetari Nura e justifikon vonesën me vërshimet që kanë dëmtuar infrastrukturën dhe kanë ndryshuar planifikimin e punimeve.
“Është një degëzim që e lidh fshatin Dashefcë me Polac e që e shkurton distancën me qendër të Skënderajt. Është e vërtetë ne kemi filluar me implementimin e atij projekti por e thashë, problemet e vërshimeve që ishin që e ndryshuan komplet planifikimin që ne e kishim bërë në këtë rast, e që e kishim problemin me nënujërat e shkatërruara, infrastrukturë u deshtë me u rikthye dhe me i rikupru këto dëme ndërkohë që ai degëzim është i rëndësishëm gjithsesi por prioritetet ndryshuan me rastin e vërshimeve dhe ne u orientuam në sanimin e dëmeve për faktin se nuk patëm përkrahje të mjaftueshme nga autoriteti qendror dhe ishte e vetmja zgjidhje, kapacitetet tona vetanake dhe mundësia për të implemetuar këto projekte që i kishim filluar d.m.th. na mbetën një pjesë në gjysmë shto këtu edhe problemin e kontratave kolektive”, ka thënë Nura.
Teksa partia e tij synon edhe një mandat në krye të Skënderajt në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, veçse me Sami Lushtakun, kryetar.
“Është një vendim i strukturave tona të përbashkëta në mënyrë që t’i japim përkrahje kryetarit tonë të degës sepse ai gjatë gjithë kohës nga padrejtësitë që i kanë ndodhur nuk ka arritur asnjëherë ta përfundojë një mandat. Në këtë mandat po ashtu ka pasur pengesa ligjore kështu që ishte një mirëkuptim i plotë mes strukturave. Mua si sekretar i degës në këtë rast edhe si kryetar i komunës, që t’i krijojmë një mundësi dhe ta përkrahim kryetarin e degës që ai këtë radhë ta fillojë dhe mbarojë një mandat ashtu siç ka pasur gatishmëri dhe vullnet edhe mandatet e mëhershme”, është shprehur Nura.
Bazuar në një studim të mëhershëm të Institutit GAP, Fadil Nura, i cili mandatin e kryetarit të Komunës së Skënderajt e ka marrë në vitin 2021, ka bërë gjithsej 66 premtime elektorale. Prej tyre, sipas GAP-it, 32 kanë përfunduar, 16 janë gjysmë të përfunduara, 13 të filluara, e 5 nuk kanë nisur.
Buxheti i Komunës së Skenderajt për vitin 2025 arrin në afro 20 milionë euro, apo 1.5 milion më i madh se i vitit 2024. Në vitin 2022 buxheti ishte 14 milionë e 528 mijë euro, ndërsa më 2023, 16 milionë e 291 mijë euro. Në mandatin katërvjeçar, kryetari i komunës nga radhët e PDK-së, Fadil Nura ka pasur në dispozicion afro 70 milionë euro buxhet, kryesisht grant qeveritar.