Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Lojërat mendore të portierit Emiliano Martinez

Emiliano Martinez

Portieri Emiliano Martinez kishte aftësinë për të acaruar kundërshtarët e tij që në fëmijëri.

Në moshë të re, shumë kohë para se të bëhej kampion i botës me Argjentinën, Martinez kishte truke për të shqetësuar sulmuesit me të cilët përballej në turnetë e të rinjve në Mar del Plata, në jug të Buenos Airesit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Nëse vlerësonte se nuk po testohej mjaftueshëm, “Dibu” ishte i aftë të nxiste sulmuesit kundërshtarë të gjuanin më shumë, tregon Jorge Peta, një nga trajnerët e tij të parë. Martinez që në fëmijëri ishte i njohur si portier “që fliste shumë”.

Me pritjen vendimtare të goditjes së Randal Kolo Muanit në finale të Kupës së Botës, katër vjet më parë, Martinez u bë hero në Argjentinë. Ai e ka edhe ndjenjën e pritjes së penalltive, por temperamenti provokues e ka privuar nga njohja e përgjithshme në botën e futbollit. 

Festimet e tepërta dhe një strategji për të shpërqendruar kundërshtarët para goditjes së penalltive i kanë sjellë dënime dhe kanë rezultuar në miratimin e një kodi sjelljeje nga FIFA për portierët në gjuajtjen e penalltive.

Lionel Messi e konsideron Martinezin “fundamental” për Argjentinën dhe njërin prej portierëve më të mirë në botë. Por shumë e kritikojnë atë. Trajneri italian, Fabio Capello, dhe portieri legjendar holandez, Edwin Van der Sar, janë në mesin e tyre. Emmanuel Petit, fitues i Kupës së Botës me Francën në vitin 1998, sugjeroi që portieri i Aston Villas të merrte ndihmë për të kontrolluar emocionet e tij.

“Ajo që e mendojnë njerëzit nuk ka ndikim tek unë. Ata mund të kenë mendimet e tyre, të mira e të këqija, por unë e di kush jam”, ka thënë 33-vjeçari Marintez. Ai ka shtuar se në fushë dëshiron vetëm të fitojë, asgjë tjetër.

Martinez do të kthehet në skenën e madhe të Botërorit me Argjentinën.

Ai ishte relativisht i panjohur për shumicën e tifozëve derisa u zgjodh për Argjentinën. Pa luajtur asnjëherë në elitën argjentinase, Martinez u largua në moshë të re për tek Arsenali. Por nuk luajti në gjigantin nga Londra, ndërsa u huazua në skuadra të rangjeve më të ulëta angleze.

Ndonëse me telashe në nivel klubesh, ai u thirr nga Lionel Scaloni tek Argjentina gjatë pandemisë COVID19. Debutoi në qershor 2021. Dhe prej atëherë porta e Argjentinës i është besuar atij.

“Më vjen keq, por do të ndali vëlla”, i tha ai mbrojtësit kolumbian Davinson Sanchez para se të ndalte penalltinë e parë nga tri gjithsej në gjysmëfinale të Copa America 2021. Argjentina e fitoi trofeun më pas.

Mjeshtëria e tij e pritjes së penalltive u konfirmua në çerekfinale të Botërorit 2022 në fitoren 4:3 ndaj Holandës. Duke përdorur gjatësinë dhe truket shpërqendruese, Martinez priti gjuajtjet e Virgil van Dijk dhe Steven Berghuis. Festoi me një vallëzim që më pas u bë i famshëm te fëmijët argjentinas.

Në finalen e paharrueshme ndaj Francës, Argjentina udhëhoqi tri herë dhe Kylian Mbappe realizoi “hat-trick” për ta dërguar ndeshjen në penallti. Martinez ndali gjuatjen e Kingsley Coman dhe Aurelien Tchoumaneni dështoi. Para gjuajtjes së Tchouamenit, Martinez e hodhi topin për të vonuar gjuajtjen.

Lojtari aktual i Real Madridit e humbi betejën mendore dhe gjuajti jashtë. 

Pas Botërorit 2022, FIFA zbatoi një kod sjelljeje për portierët. Kodi ndalon lojërat psikologjike, përdorimin e taktikave për të vonuar goditjen nga pika e bardhë dhe të folurit ose gjestikulimin për të shpërqendruar lojtarin që bënë goditjen.

Në vitin 2024, FIFA e pezulloi Martinezin për dy ndeshje për sjellje ofenduese dhe shkelje të parimeve të lojës së ndershme gjatë ndeshjeve kundër Kilit dhe Kolumbisë. 

Pavarësisht polemikave, trajneri Scaloni e ka konfirmuar portierin e Aston Villas për Kupën e Botës. Ai theu gishtin në finale të Ligës së Evropës, të cilën e fitoi me Villan. Por do të jetë gati për Botëror. 

“Çdo gjë është pjesë e personalitetit të tij. Ne përqëndrohemi vetëm në aspektin sportiv”, ka thënë selektori argjentinas, Scaloni.

Në prag të Botërorit, fanella me numër 23 e Martinezit është prej më të kërkuarave, së bashku me atë të Lionel Messit. Kjo është dëshmi e famës që ai ka në mesin e argjentinasve.

Portieri i shpërfill kritikët dhe përqendrohet në trashëgiminë e tij.

“Argjentina do të ketë shumë portierë në të ardhmen. Dashuria për të ruajtur portën është kthyer”, thotë ai.