Zvicra në çerekfinale të Botërorit
Granit Xhaka ka realizuar penallti, Gregor Kobel ndali një gjuajtje nga pika e bardhë dhe Zvicra ka bërë vend në çerekfinale të Kupës së Botës në futboll.
Zvicra fitoi në penallti ndaj Kolumbisë me rezultatin 4:3. Koha e rregullt dhe vazhdimet nuk ofruan gola.
Ndërkohë në serinë e gjuajtjeve nga pika e bardhë më të suksesshëm ishin helvetikët. Zvicra në çerekfinale do të përballet me Argjentinën.
Zvicra nuk ka luajtur në çerekfinale që nga viti i largët, 1954.
Nuk kishte shumë dramë në ndeshjen e së martës mbrëma.
Por penalltitët ishin emocionale. Së pari realizuan kolumbianët, ndërsa Xhaka u përgjigj po ashtu me shënim.
Davinson Sanchez i Kolumbisë gjuajti në traversë në serinë e dytë, por në serinë e tretë Manuel Akanji e dërgoi topin lart mbi portë. Në serinë e katërt, gjuajtjen e Cucho Hernandezit e ndali portieri zviceran, Kobel. Dhe ky ishte momenti vendimtar. Realizuan me radhë Cedric Itten i Zvicrës, Luis Diaz i Kolumbisë dhe në fund Ruben Vargas i Zvicrës për festën e madhe dhe suksesin e pritur gjatë.
Kualifikimi në çerekfinale është sukses i madh për Xhakën, që po vazhdon të shkruajë histori me Zvicrën. Në pjesën e parë për Zvicrën luajti edhe Ardon Jashari.
Penalltitë vendosin fituesin e ndeshjes Zvicër – Kolumbi
Nuk është shënuar gol në 120 minuta lojë në ndeshjen e fundit të një të tetës së finales në Kupën e Botës.
Rrjedhimisht fituesin e ndeshjes mes Zvicrës dhe Kolumbisë do ta përcaktojnë penalltitë.
S’ka gol as në vazhdimin e parë
Kolumbia iu afrua golit në vazhdimin e parë të ndeshjes kundër Zvicrës. Por gjuajta me kokë e Jhon Lucumit të Kolumbisë përfundoi në traversë në minutën e 99-të.
Vazhdimi i parë përfundoi baras, 0:0.
Shpëton Zvicra, Kolumbia qëllon traversën
Kolumbia e ka qëlluar traversën në minutën e 99-të.
Por gjuajta me kokë e Jhon Lucumit të Kolumbisë përfundoi në traversë.
Shkon në vazhdime ndeshja Zvicër – Kolumbi
Zvicra dhe Kolumbia nuk ia kanë dalë të shënojnë gol gjatë kohës së rregullt ë ndeshjes së fundit të një të tetës së finales të Kupës së Botës.
Dueli që po luhet në Vancouver ka shkuar në vazhdime dy herë nga 15 minuta.
Granit Xhaka dhe Ardon Jashari startuan te Zvicra. Ky i fundit u zëvendësua pas pjesës së parë, ndërsa Xhaka u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 51-të për shkak të ndërhyrjes së ashpër ndaj një lojtari të Kolumbisë.
Një orë lojë, Zvicra e Kolumbia në kërkim të golit
Zvicra dhe Kolumbia janë në kërkim të golit të parë në ndeshjen e fundit të një të tetës së finales të Kupës së Botës.
Rezultati pas minutës së 60-të është ende i barabartë, 0:0.
Granit Xhaka në minutën e 51-të për ndërhyrje të ashpër u ndëshkua me karton të verdhë.
Zëvendësohet Ardon Jashari
Ardon Jashari është larguar pa lënë gjurmë në ndeshjen që Zvicra është duke e zhvilluar kundër Kolumbisë.
Jashari u zëvendësua pas përfundimit të pjesës së parë, ndërsa në vend të tij është inkuadruar Djibril Sow.
Mbyllet pa gola pjesa e parë e ndeshjes Zvicër – Kolumbi
Ka përfunduar baras, 0:0, pjesa e parë e ndeshjes ndërmjet Zvicrës dhe Kolumbisë.
Takimi i fundit i një të tetës së finales të Kupës së Botës është duke u zhvilluar në Vancouver.
Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi pa ndonjë rast të mirë për gol.
Te Zvicra po paraqiten dy shqiptarët, kapiteni Granit Xhaka dhe mesfushori tjetër Ardon Jashari.
Fituesi i këtij dueli do të takohet me kampionen në fuqi, Argjentinën, e udhëhequr nga Lionel Messi.
Argjentina fitoi me përmbysje të rezultatit ndaj Egjiptit. Ishte duke humbur 2:0, por ktheu rezultatin në favorin e saj duke fituar 3:2.
Xhaka e Jashari startojnë për Zvicrën
Granit Xhaka e Ardon Jashari do të jenë në qendër të mesfushës në ndeshjen e rëndësishme të Zvicrës ndaj Kolumbisë.
Zvicra nga ora 22:00 përballet me Kolumbinë në 1/8 e finales së Kupës së Botës.
Për Jasharin është hera e parë që është në formacionin startues të një ndeshjeje të Kupës së Botës.
Formacioni i Zvicrës: Kobel, Zakaria, Elvedi, Akanji, Rodriguez, Xhaka, Freuler, Jashari, Ndoye, Reider, Embolo
Formacioni i Kolumbisë: Vargas, Munoz, Sanchez, Lucumi, Mojica, Arias, Lerma, Puerta, Rodriguez, Suarez, Diaz