Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Spanja kampione e botës

Spanja

Foto: Associated Press

Spanja e ka fituar finalen ndoshta më të pazakontë në histori dhe ka festuar titullin e kampionit të botës në futboll.

Të dielën mbrëma në New Jersey, Spanja fitoi 1:0 ndaj Argjentinës, në finalen plotësisht të njëanshme. Spanjollët kanë dominuar gjatë gjithë kohës, por për fitore u janë dashur vazhdimet. Golin e fitores e shënoi Ferran Torres në minutën e 106-të, përkatësisht në minutën e parë të vazhdimit të dytë. 
Pas një krosimi në zonë, Nico Williams e ktheu topin te rezervisti Torres që goditi saktë nga zona. 
Për Spanjën është titulli i dytë i botës. Të parin e kishte fituar në vitin 2010 në Afrikë të Jugut. 
Finalja e së dielës është dominuar plotësisht nga të përzgjedhurit e Luis de la Fuentes. “Furia e kuqe” ka krijuar raste e raste, por pa konkretizuar. Në kohën e rregullt Spanja i kishte plot 15 goditje. Prej tyre dhjetë shkuan në kornizë të portës. Por asnjë nuk përfundoi në rrjetë.

Ndërkohë Argjentina nuk e kishte asnjë goditje gjatë 90 minutave. Dhe kjo ka ndodhur vetëm për herë të tretë në ndeshje të Kampionateve Botërore. Në finale, natyrisht, për herë të parë.

Pamja nuk ndryshoi as në vazhdime, pos që spanjollët e shënuan golin e fitores dhe festës së madhe. Argjentina i kishte vetëm dy goditje. Njëra u  bllokua dhe tjetra shkoi mbi portë. Ndërkohë në minutat e fundit e rrezikoi goxha seriozisht portën spanjolle.

Spanja ishte vlerësuar prej pretendenteve të Botërorit, por jo favoritja kryesore. Por shkëlqeu gjatë gjithë Botërorit më të madh në histori. Spanja e ka pranuar vetëm një gol, ndonëse në ndeshjen e parë befasoi për të keq duke barazuar pa gola me Kepin e Gjelbër.

Argjentina me mund arriti në finale dhe në ndeshjen vendimtare shfaqi pak. Lionel Messi u mbajt i qetë, në atë që mund të jetë ndeshja e tij e fundit në Kupë të Botës.

Shkëlqimi të dielën mbrëma ishte për Spanjën. Ata konkretizuan një prej plot 20 rasteve për të fituar trofeun më të vlefshëm në futboll.

Mbappe golashënuesi më i mirë, si do të ndikojë kjo te Messi?

2 muaj më parë / 19 kor 2026 10:08
Messi

Kylian Mbappe i shënoi dy gola për Francën në ndeshjen për vend të tretë ndaj Anglisë. Anglezët fituan 6:4, por Mbappe tani është golashënuesi më i mirë i këtij Botërori dhe po ashtu golashënuesi më i mirë në histori të Kampionateve Botëror.

Në këtë Botëror, ylli francez i ka dhjetë gola, dy më shumë se argjentinasi Lionel Messi.
Në përgjithësi, Mbappe i ka 22 gola në Kampionate, që është rekord. Këta 22 gola i ka shënuar në 22 paraqitje. I dyti është Messi me 21 gola në 33 ndeshje në Kampionate Botërore.

Miroslav Klose, që me 16 gola mbante rekordin para se të fillonte ky Botëror, tani është i treti.
Performanca e Mbappes mund të ketë ndikim në paraqitjen e Messit. Finalja ndaj Spanjës, që luhet sonte nga ora 21:00, pritet të jetë ndeshja e fundit e 39-vjeçarit në Kampionate Botërore.

Finalja e Messit, Yamalit dhe dy super-përfaqësueseve

2 muaj më parë / 19 kor 2026 08:16
Yamal-Messi

Në prag të finales së Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës që luhet të dielën nga ora 21:00 në “New Jersey Stadium”, pati frymë respekti dhe admirimi të ndërsjellë nga figurat kryesore të Spanjës dhe Argjentinës.

Spanja e Argjentina kanë bërë edhe përgatitjet e fundit para finales së madhe, dhe për trofeun më të çmuar në futboll kanë folur të shtunën në konferencën për shtyp në Manhattan.

Kapiteni i Spanjës, Rodri, e ka përgëzuar si Lionel Messin dhe përfaqësuesen e Argjentinës si “rivalen më të fortë” për finale të Kupës së Botës. Portieri i Argjentinës, Emiliano “Dibu” Martinez, u kundërpërgjigj me përgjigje për Spanjën si “ekip I madh”.

Të dy përzgjedhësit e shohin njëri-tjetrin si përballje të denjë për titullin e Kupës së Botës.

“Me të vërtetë shoh dy përfaqësuese me sjellje të përafërta dhe talent për futboll”, ka theksuar përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente.

Lionel Scaloni i Argjentinës theksoi se “si mundet që Spanja të mos na shqetësojë, pasi është përfaqësuese e madhe”.

Në fakt, të dyja përfaqësueset hyjnë në finale me CV të pasur. Argjentina synon trofeun e katërt madhor të njëpasnjëshëm, pas triumfit në dy Kupa të Amerikës. Triumfoi edhe në Botërorin e kaluar, ndërsa tani e synon trofeun e dytë rresht të ngjarjes globale. Spanja, ndërkohë, është pa humbje në 37 ndeshje rresht dhe ka fituar edicionin 2022/23 të Ligës së Kombeve, dhe Kampionatin Evropian 2024.

Kjo dyshe ishte dashur të luante edhe në “La Finalissima”, ku luajnë fituesi në fuqi i Kupës së Amerikës me fituesin e Evropianit. Ndeshja ishte paraparë të luhej në muajin mars në Katar, por për shkak të luftës në Iran, nuk u zhvillua. Të dyja e shtruan rrugën për ta fituar trofeun me rëndësinë më të madhe.

Spanja dhe Argjentina i dinë yjet respektive, Messi dhe Lamine Yamal.

“E konsideroj atë lojtarin më të mirë të të gjitha kohëve, lojtarin që e udhëhoqi shtetin e tij në triumfin e Botërorit në Katar dhe tani është në një tjetër finale. Megjithatë, besoj se Argjentina është më shumë sesa Messi. Mendoj se Spanja dhe Argjentina e luajnë futbollin më të mirë ekipor”, deklaroi Rodri.

Për aftësitë e Messit ka folur edhe përzgjedhësi De la Fuente. Ai ka kujtuar një ngjarje të shumë kohe më parë.

“Isha në Akademinë e Sevillas dhe luanim ndeshje të Kupës së Mbretit dhe shkuan më Barcelonë. Njerëzit më tregonin gjëra të mira për një fëmijë me emrin Messi. Një lojtar ishte afër tij dhe rezultati ishte 0:0 pas 70 minutash. Kur lojtari mori karton e zëvendësuam. Për 15 minuta, Messi shënoi katër gola. Tani nuk do ta ruajmë ashtu por do të jemi shumë të vëmendshëm, njësoj si ndaj lojtarëve tjerë, njësoj siç ata duhet të jenë për lojtarët tanë”, deklaroi De la Fuente.  

Messi foli për Yamalin dhe e vlerësoi atë prej lojtarëve më të talentuar.

“Lamine ka lënë gjurmë dhe e ka gjithë karrierën para. E ka mundësinë të arrijë diçka historike, por do të mundohemi që ai të mos e arrijë kësaj here”, deklaroi Messi. Yamali e ka vetëm një gol në këtë turne, ndërsa është përgëzuar për talentin edhe nga Emiliano Martinez, portieri i Argjentinës. Ai shtoi se edhe Argjentina ka armë shumë të forta, njësoj siç u shpreh edhe përzgjedhësi Scaloni.

“Nuk shoh dobësi te Spanja. Por pavarësisht se është finale, është tjetër ndeshje futbolli dhe ne duhet të provojmë dhe të fitojmë”, tha Scaloni.

Argjentina synon të bëjë histori duke e përsëritur suksesin e Kupës së Botës dy herë rresht. Kampion bote dy herë rresht nuk është bërë askush prej Brazilit në vitin 1962. Spanja e kërkon titullin e dytë të botës. Të parin e fitoi në vitin 2010.