Julen Lopetegui është shkarkuar nga posti i përzgjedhësit të Spanjës pasi u emërua trajner i Real Madridit të martën.
Lopetegui u zyrtarizua si pasardhës i Zinedine Zidanet. Fillimisht u raportua se ai do të marrë drejtimin e mbretërve pas përfundimit të Botërorit, por Federata ka vepruar ndryshe, duke e shkarkuar.
“Kemi vendosur për shkarkimin e trajnerit të përfaqësueses”, ka thënë Luis Rubiales, kryetar i Federatës së Futbollit të Spanjës.
“Ajo që kemi arritur është edhe me ndihmën e tij dhe duhet ta falënderojmë e t’i urojmë fat”, ka thënë ai.
Shkarkimi i trajnerit kërcënon me destabilizim të përfaqësueses së Spanjës që shihet si favorite për Botërorin në Rusi.