Sulmuesi i Përfaqësueses së Brazilit, Neymar, ka reaguar pas akuzave për simulime të tepruara në ndeshjet e botërorit "Rusia 2018".
Numri i kritikëve që po e akuzojnë Neymarin për simulim është rritur pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet Brazilit e Meksikës në kuadër të 1/8 të finales. Brazili triumfoi 2:0 dhe u kualifikua në çerekfinale, por Neymari pati një "aktrim" në një duel me meksikanin Miguel Layun.
"Është shumë e thjeshtë, ndiej dhimbje. Nuk simuloj", ka thënë Neymar 26-vjeçar. "Është e komplikuar, nuk është diçka që mund ta kontrolloj".
Seleksionuesi i Përfaqësueses së Meksikës, Juan Carlos Osorio, ka thënë se simulimet e Neymarit nuk janë shembull i mirë për futbollin. Pos tij edhe shumë të tjerë e kanë akuzuar në këtë botëror për simulime.
Mirëpo, lojtari është i fokusuar vetëm në paraqitjet e mira dhe që ta ndihmojë Brazilin të shpallet kampion.
"Po shkelem qëllimisht dhe kundërshtarët po synojnë të më rrëzojnë me çdo kusht. Në të shumtën e rasteve, ndërhyrjet ndaj meje nuk po i bëjnë fare në top, por po tentojnë këmbën. Nuk mendoj se ndërhyrjet e tilla duhet të lejohen. Unë nuk mund të ndaloj askënd të flas për simulime. Të gjithë po flasin shumë për mua, kështu ishte edhe me Meksikën që tashmë u eliminua nga Botërori", ka shtuar Neymar. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).