Tinejxheri francez Kylian Mbappe është duke shkëlqyer në Kupën e Botës me shpejtësinë marramendëse dhe me golat e tij, duke u vlerësuar si superylli i ardhshëm i futbollit.
Në Komunën Bondy, në verilindje të Parisit, ka krenari të madhe për shpërthimin e tij, por jo edhe befasi. Atje gjithmonë e kanë ditur se Mbappe do t'ia dalë të bëhet i madh, transmeton Koha Ditore.
Mbappe 19-vjeçar, që shënoi dy gola dhe nxori një penallti në fitoren 4:3 të Francës ndaj Argjentinës në 1/8 e finales të Botërorit, është figurë mjaft e njohur në këtë pjesë, ku është rritur duke luajtur për skuadrën lokale AS Bondy.
"Kylian ishte para të gjithëve", kujton Jean-Marc Goue 28-vjeçar, një shok i vëllait të madh të Mbappes dhe një mësues në këtë pjesë me popullatë të madhe të emigrantëve nga Afrika Qendrore dhe Veriore. "Në moshën pesëvjeçare ai dëgjonte babanë e tij (një trajner tek AS Bondy) duke folur në zhveshtore dhe dhoma e tij e fjetjes kishte fotografi të Zinedine Zidanet dhe Ronaldos".
Por sensacioni i ri, që i është bashkuar Monacos në moshën 14-vjeçare, kurrë nuk ka humbur lidhjen me rrënjët e tij, edhe pasi u transferua te Paris Saint-Germaini për një shifër që raportohet të ketë qenë afro 180 milionë euro. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).