Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2018

Gjermania vazhdon “traditën e zezë” të kampionëve

Gjermania ka vazhduar “traditën e zezë” të kampionëve në Kupa të Botës.

Kjo është hera e tretë rresht që kampioni i botës eliminohet qysh në fazën e grupeve. Gjermania u eliminua sot nga Grupi F duke përfunduar këtë fazë me vetëm tri pikë, pasi u mposht nga Meksika dhe Koreja e Jugut. Nga ky grup u kualifikuan Suedia dhe Meksika.

Fatin e Gjermanisë, në dy kampionatet e shkuara botërore e patën Italia dhe Spanja. Italia më 2006 ishte shpallur kampion, kurse katër vjet më vonë ishte eliminuar në grupe. Më 2010 kishte fituar Spanja, por ajo u eliminua qysh në grupe më 2014.

Sikurse këto tri kombëtare, edhe Franca që fitoi më 1998 ishte eliminuar katër vjet më pas qysh në grupe.

Për Gjermaninë, kjo është vetëm hera e dytë që eliminohet në fazën e grupeve. Hera e parë ishte më 1938.