Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2018

Daliq nuk brengoset për lodhjen e kroatëve

Përzgjedhësi i Kroacisë, Zlatko Daliq, thotë se nuk është i brengosur për lodhjen e lojtarëve të tij para finales me Francën në Botërorin 2018.

Kroacia ka luajtur në vazhdime në tri ndeshjet e eliminimit direkt, përfshirë gjysmëfinalen me Anglinë, ku Mario Manxhukiq me një gol i dha fitoren dhe kualifikimin në finale.

Daliq, megjithatë, thotë se lojtarët që nuk janë “100 për qind të gatshëm” nuk do të luajnë nga fillimi ndaj “Les Bleus”.

“Nesër është finalja e Kupës së Botës. Thjeshtë, lojtarët e dinë çka është. Një gjë që më sjell lumturi është se të gjithë lojtarët e mi më tregojnë kur nuk janë të gatshëm 100 për qind”, ka thënë Daliq në konferencën për media.

“Kemi lidhje shumë të mirë sa që ata do të pranojnë dhe do të thonë se ‘nuk jam i gatshëm, do të mungoj në finale’. Ata e dinë se jemi në fazën finale dhe sa e mrekullueshme është të luash në finale. Por, nëse nuk janë në gjendje të japin gjithçka nga vetja, do të më tregojnë. Pres nga ta të bëjnë kështu, ata kanë qëndrim të tillë”, ka shtuar më tej Daliq.

Kroacia eliminoi Danimarkë, Rusinë dhe Anglinë në fazën e eliminimit direkt për të arritur në finalen e Moskës.

Artikuj të ngjashëm