Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zjarret po bëjnë shkrumb turizmin e Evropës

Zjarret kanë përzënë turistët në pjesët e goditura fort të Greqisë dhe Italisë. Rodosi përjetoi anulime masive të fluturimeve, por edhe pa flakët, nxehtësia e verës e intensifikuar nga ndryshimet klimatike mund të jetë pengesë për udhëtarët

Turistët në një hotel bregdetar në ishullin grek të Rodosit rrëmbyen kovat me ujë pishinash dhe peshqir të lagur teksa flakët afroheshin, duke nxituar për të ndihmuar stafin dhe banorët vendas që të shuanin një nga zjarret që kërcënoi zonat e Mesdheut gjatë valëve të fundit të të nxehtit.

Përpjekja e shpejtë e ekipit nënkuptonte që “në kohën kur erdhi brigada e zjarrfikësve, pjesa më e madhe e zjarrit u shua”, ka thënë Elena Korosteleva nga Britania, e cila ishte duke pushuar në hotelin Lindos Memories.

Të nesërmen në mëngjes, disa mysafirë që nuk u rehatuan ndërprenë pushimet e tyre - por shumica qëndruan pasi resori nuk u dëmtua nga zjarri i vogël jashtë territorit të tij.

Ishulli grek i njohur për plazhet me bukura dhe vendet e lashta po këndellet pas 11 ditësh zjarresh shkatërruese në korrik. Pasi mijëra njerëz u evakuuan gjatë sezonit të lartë të udhëtimit, Rodosi po peshon se si kriza do të ndikojë në sektorin e tij jetik të turizmit, i cili ushqen pjesën më të madhe të ekonomisë së saj dhe rreth 20 për qind të Greqisë.

Është e njëjta gjë për destinacionet e tjera të Mesdheut, si Italia dhe Spanja, ku edhe sektori i turizmit po goditet nga valët e të nxehtit dhe zjarret. Greqia, Italia, Algjeria dhe Tunizia së bashku humbën më shumë se 1,350 kilometra katrorë nga flakët që rrezikuan 120 mijë njerëz në fund të korrikut, sipas vlerësimeve të Bashkimit Evropian. Dhe Greqia pret vapë edhe më ekstreme në ditët në vijim.

Kryetari i fshatit Villardeciervos, në një pjesë të Spanjës veriperëndimore të shkatërruar nga zjarret verën e kaluar, ka thënë se alpinistët po vazhdojnë të vijnë.

“Turizmi do të vuajë pak në vitet e ardhshme, (nëse) na pëlqen apo jo”, ka thënë Rosa María López. “Në shtigjet e ecjes, nuk ka pemë dhe është shumë e trishtueshme të shohësh. … Por kjo zonë është ende shumë e vlerësuar nga turistët, pavarësisht gjithçkaje. Ne do të duhet të përshtatemi”.

Zjarret kanë përzënë turistët në pjesët e goditura fort të Greqisë dhe Italisë. Rodosi përjetoi anulime masive të fluturimeve dhe tendenca është e ngjashme në Sicili, ka thënë Olivier Ponti, nënkryetar i “ForwardKeys”, kompani e të dhënave të udhëtimit me qasje në të dhënat e biletave të industrisë ajrore.

Teksa udhëtimi në Greqi në përgjithësi nuk është goditur shumë, Italia nuk është aq me fat. Zjarret “kanë shkaktuar ngadalësim të rezervimeve për shumë destinacione italiane, madje edhe vendet jo afër zjarreve”, ka thënë ai, duke vënë në dukje rënien për Romën në javën e fundit të korrikut.

Edhe pa flakët, nxehtësia e verës e intensifikuar nga ndryshimet klimatike mund të jetë pengesë për udhëtarët.

Image

Shqetësimi i hoteleve

Hotelierët janë të shqetësuar në qytetin turistik bregdetar të Benidorm të Spanjës juglindore, vend i preferuar prej kohësh për turistët britanikë dhe skandinavë.

“Nëse valët e të nxehtit do të përsëriteshin çdo verë, ndikimi në ekonominë tonë do të ishte i rëndësishëm”, ka thënë Antonio Mayor, kryetar i shoqatës së hoteleve dhe turizmit në rajonin e Valencias, që përfshin Benidormin. “Aktiviteti ynë është i përqendruar në tre muajt e verës”, ka shtuar ai.

Kjo mund të nënkuptojë që turistët të shkojnë në veri në vendet skandinave ose në Mbretërinë e Bashkuar në vend të kësaj.

“Temperaturat rekord në vendet evropiane si Greqia, Italia dhe Spanja nuk janë planifikuar të zbuten kur hyjmë në gusht, kështu që mund të konsiderohet opsion shumë më i sigurt për të zgjedhur qëndrimin në Evropën veriore”, ka thënë Tim Hentschel, shef i platformës digjitale të rezervimeve “Hotel Planner”.

Organizata Botërore Meteorologjike dhe Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të BE-së Copernicus llogaritën korrikun si muajin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë. Të dhënat e nxehtësisë parashikojnë ndryshime në të ardhmen teksa planeti ngrohet, kanë paralajmëruar shkencëtarët, duke përfshirë më shumë përmbytje, zjarre me djegie më të gjata dhe ngjarje ekstreme të motit që i vënë njerëzit në rrezik.

Image

Sigurimi i pushimeve

Me këtë në mendje, kompania fillestare e teknologjisë klimatike me bazë në SHBA, Sensible Weather po zhvillon sigurim që do të kompensojë njerëzit nëse nxehtësia ekstreme shkatërron pushimet e tyre.

Është përhapur mbulimi i “garancisë së motit” për kompanitë e udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe SHBA, të cilat paguajnë udhëtarët nëse shiu i zgjatur shkatërron pushimin e tyre në plazh ose nuk ka borë për pushimet dimërore.

Sensible Weather së shpejti do të shtojë opsionin e mbulimit të nxehtësisë “në pritje të verës së ardhshme”, ka thënë themeluesi Nick Cavanaugh. “Njerëzit po më pyesin më shumë për këtë sepse po mendojnë më shumë për këto gjëra”.

Ndërsa njerëzit ndryshojnë se sa nxehtë është shumë nxehtë, “në versionin më të thjeshtë, nëse do të ishte 42 gradë celsius për tre orë në mes të ditës dhe nuk mund të dilje dhe të bësh një aktivitet, ne mund t’ua kthejmë disa para”, ka thënë ai.

Rodosi kishte pritur që ardhjet e huaja të rriteshin 8%-10% gjatë një viti të vështirë në 2022, kur rreth 2.6 milionë njerëz fluturuan në ishullin grek, kryesisht nga Britania dhe Gjermania. Por pas zjarreve, anulimet e fluturimeve në javën e fundit të korrikut tejkaluan të gjitha rezervimet e bëra në javën ekuivalente në 2019, a thënë Ponti nga ForwardKeys.

Manolis Markopoulos, kreu i shoqatës së hoteleve në Rodos, është optimist se rikthimi i ardhjeve në pjesë të ishullit që nuk janë dëmtuar nga flakët mund të shpëtojë shumë nga rritja e parashikuar në turizëm.

“Çdo ditë ne po shohim më shumë biznese. Deri në 8-10 gusht, mendoj se do të kthehemi në ritmin tonë normal në të gjitha këto vendpushime” të cilat përbëjnë rreth 90% të 220 mijë shtretërve të ishullit.

“Ne do t'i bënim më shumë dëme banorëve të Rodosit nëse nuk do të vinin më turistë tani pas zjarreve në pyje”, ka thënë Sebastian Ebel.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ofroi nxitje shtesë, duke u shfaqur në “Good Morning Britain” të ITV këtë javë për t'u premtuar njerëzve të cilëve pushimet në Rodos u prishën nga zjarret një javë falas në ishull pranverën ose vjeshtën e ardhshme.

Korosteleva, pushuesja në Rodos, ka thënë se zjarret duhet të motivojnë veprimin kundër ndryshimit të klimës.

“Kjo i bën njerëzit të vetëdijshëm se çfarë i kemi shkaktuar planetit, se ky ndryshim mund të mos jetë i kthyeshëm. Pra, nuk ka të bëjë vetëm me turizmin”, ka thënë Korosteleva, e cila drejton Institutin e Zhvillimit të Qëndrueshëm Global të Universitetit të Warwick. “Unë mendoj se në të vërtetë prek qartë se si duhet të fillojmë të veprojmë tani”.

Në zonat e dëmtuara, “disa operatorë të guximshëm turistikë kanë vendosur tashmë të sjellin klientët nga kjo fundjavë e ardhshme”, ka thënë Markopoulos. “Këto zona kanë një rrugë më të gjatë para se të kthehen në normalitet – por ato nuk janë as 10% e kapacitetit total (të ishullit)”.

Rezervimet e reja për udhëtimet e ardhshme në Rodos morën goditje, duke rënë me 76% javën e 17 korrikut, kur filluan zjarret. Për Greqinë në tërësi, ato ranë 10 për qind, ka thënë.

Ndërsa disa operatorë të mëdhenj britanikë anuluan shkurtimisht të gjitha fluturimet dhe pushimet në Rodos - duke ofruar rimbursime për njerëzit që kishin rezervuar për zonat e goditura nga zjarri - linjat ajrore të tjera buxhetore vazhduan të ofronin vende dhe raportuan shifra normale të udhëtimit, ka treguar Hentschel i HotelPlanner.

Në Gjermani, operatori kryesor i udhëtimeve TUI po ofron sërish pushime në të gjitha pjesët e Rodosit pasi ndaloi fluturimet për turistët.

Artikuj të ngjashëm