Botë

Zhdukja e eksplozivëve nga bazat amerikane

Trupat falsifikuan të dhënat për të mbuluar disa vjedhje dhe në raste të tjera nuk raportuan eksplozivët si të zhdukur, tregojnë dosjet hetimore. Ndonjëherë, ata nuk arritën t’i mbronin eksplozivët

Specialisti i shpërthimit të bombave në marinsat e Shteteve të Bashkuara ishte i shqetësuar për Amerikën dhe për luftën civile që kishte frikë se do të pasonte pas zgjedhjeve presidenciale.

Dhe kështu, ai vodhi 6 kilogramë eksplozivë C4 nga poligonet e stërvitjes në Kampin Lejeune.

“Trazirat, biseda për sekuestrimin e armëve, e pashë këtë vend duke lëvizur drejt një të ardhmeje të frikshme të panjohur”, do të shkruante rreshteri më vonë, në një deklaratë prej shtatë faqesh për hetuesit ushtarakë. “Një gjë kisha në mendje dhe vetëm një gjë, po mbroj familjen time dhe të drejtat e mia kushtetuese”.

Krimi i tij mund të kishte mbetur i pazbuluar, por autoritetet me fat mësuan për vjedhjen në vitin 2018, teksa hetonin një tjetër vjedhje nga Lejeune, baza e madhe në Karolinën e Veriut. Në atë rast, eksplozivi përfundoi në duart e disa gjimnazistëve.

Këto nuk janë raste të izoluara. Qindra – dhe ndoshta mijëra – granata kundër mjeteve të blinduara, qindra kilogramë eksplozivë plastikë, si dhe mina tokësore dhe raketa janë vjedhur ose humbur nga forcat e armatosura amerikane gjatë dekadës së fundit, sipas hetimeve të vazhdueshme të “Associated Press” në dështimin e ushtrisë për të siguruar të gjitha armët e saj të luftës. Akoma më shumë eksplozivë u raportuan të zhdukur dhe që janë gjetur më vonë.

Falsifikimi i të dhënave

Ushtria falsifikoi të dhënat për të mbuluar disa vjedhje dhe në raste të tjera nuk raportoi eksplozivët si të zhdukur, tregojnë dosjet hetimore. Ndonjëherë, ata nuk arritën të mbronin eksplozivët në radhë të parë. Pasojat mund të jenë vdekjeprurëse.

Në gusht, një predhë artilerie shpërtheu në një oborr riciklimi në Misisipi. Chris Smith po bënte një pushim nga puna për shkak të vapës, duke pirë ujë dhe duhan. Papritur ai e gjeti veten duke përqafuar një bashkëpunëtor që po i rridhte gjak nga këmbët. Burri vdiq në vend.

“Pa asnjë arsye”, ka thënë Smith në një intervistë.

Dy ditë më vonë, një predhë e paprekur u gjet në një kantier vjeturinash. Departamenti i sherifit lokal ka thënë se kjo predhë ishte lloji i përdorur në një armë artilerie me rreze të gjatë.

Autoritetet hetuese dyshojnë se predhat erdhën nga kampi Shelby, bazë e Gardës Kombëtare të Ushtrisë rreth 40 milje larg. Zëdhënësja e Gardës Kombëtare të Misisipit, nënkolonelja Deidre Smith, ka thënë se nuk di për asnjë provë që predha e kishte origjinën atje.

Sipas autoriteteve federale, hajdutët e metaleve kanë vënë në shënjestër kampin Shelby më parë. Një burrë u plagos nga një shpërthim në shtëpinë e tij në Gulfport, Misisipi, në vitin 2012, kur u përpoq të hapte një nga 51 predhat antitank AT-4 të marra nga zona e poligonit të stërvitjes së Shelbyt. Pesë persona u deklaruan fajtorë për akuzat federale.

Vjedhja e raketave

Disa vjedhje kanë tërhequr vëmendjen në nivel lokal, siç ndodhi në vitin 2019, kur raketa të stërvitjes u gjetën në banesat afër Fort Hood në Teksas. AP-ja zbuloi të tjera që nuk janë raportuar publikisht, mes tyre vjedhjet në Kampin Lejeune dhe një rast të vitit 2013 në të cilin 36 shkopinj TNT të pambrojtur u vodhën gjatë një ushtrimi stërvitës në bazën ajrore Clark në Filipine.

Zyrtarët ushtarakë kanë thënë se hajdutët brenda ushtrisë janë një pakicë e vogël e anëtarëve të shërbimit dhe se - në krahasim me rezervat - sasitë e përgjithshme të eksplozivëve të humbur ose të vjedhur janë të vogla.

“Ne duam ta çojmë numrin në zero, që të mos ketë humbje, por kjo nuk do të thotë se nuk i marrim seriozisht humbjet që kanë ndodhur”, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, nënkoloneli Uriah Orland.

Eksplozivë janë gjetur në shtëpi dhe njësi magazinimi, brenda kazermave ushtarake dhe përgjatë rrugëve, madje edhe në një pikë kontrolli kufitare SHBA-Meksikë. Mirëpo këto nuk ishin si trofe të ndryshkura lufte të hedhura nga tavani i gjyshit. Ato vinin nga dërgesat ushtarake ose bazat. Shumë u morën nga ushtarakë të brendshëm.

Eksplozivët janë më të vështirë për t'u llogaritur sesa armët e zjarrit.

Ndërsa trupat kontrollojnë armët brenda dhe jashtë armaturave, eksplozivët shpërndahen nga pikat e furnizimit me municione me supozimin se do të shpërthejnë.

Edhe pse të paktën dy persona supozohet të nënshkruajnë raportet e konsumit, ky është një sistem nderi. Nëse eksplozivët nuk përdoren dhe zhduken, vetëm hajduti mund ta dijë. Eksplozivët mund të mos kenë numra serialë individualë për gjurmim dhe eksplozivët plastikë fshihen lehtësisht, si plastelinë, ato mund të priten ose formohen.

Mbajtja dhe mbikëqyrja e dobët e të dhënave lejuan një person të vendosur në Quantico të Virxhinias që të vidhte kënaçe me eksploziv dhe detonatorë. Ai hetim penal zbuloi gjithashtu se një teknik i dytë i municioneve mori katër granata dore duke regjistruar në mënyrë të rreme se ato shpërthyen gjatë stërvitjes, një pohim që askush nuk e vuri në dyshim.

AP kërkoi të dhëna të detajuara nga të katër degët e shërbimit që mbulonin humbjen ose vjedhjen e eksplozivëve nga viti 2010 deri në vitin 2020.

Vjedhja e C4

Ushtria siguroi një grafikë që përfshinte gati 1.900 hyrje për eksplozivët e humbur, rreth gjysma e të cilave thuhej se ishin gjetur. Shumica u përshkruan si C4/TNT. Kategoritë e tjera përfshinin artileri, mortaja, mina tokësore, granata, raketa dhe granata 40 mm.

Grafiku përfaqësonte një rishikim të mundimshëm, manual të të dhënave, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë, nënkoloneli Brandon Kelley. Edhe me atë rishikim, studiuesit nuk mund të përcaktonin gjithmonë sasinë, kështu që nuk ishte e mundur të dihej saktësisht se sa kilogramë C4/TNT përfaqësoheshin në 1.066 hyrjet, ka thënë Kelley.

Në kontekstin e gjerë të ushtrisë, ka thënë Kelley, sasitë e eksplozivëve të humbur janë të papërfillshme. Gjatë dekadës së kaluar, Ushtria "ka mbajtur përgjegjësinë e duhur të 99.999984 % të municioneve”, ka thënë ai.

Në përgjigje të një kërkese të Ligjit për Lirinë e Informacionit, Trupa detare lëshoi të dhëna që ishin shumë të paqarta për të llogaritur një numër të saktë. Analiza e përafërt e AP tregoi se mijëra granata depërtuese të blinduara dhe qindra kilograë eksplozivë plastikë u raportuan të humbura ose të vjedhura. “Disa prej tyre u gjetën më vonë dhe shpesh këto raporte i atribuohen gabimeve njerëzore, të tilla si llogaritjet e bëra në mënyrë jo të rregullt ose dokumentacioni i papërshtatshëm”, ka thënë kapiteni Andrew Wood në një deklaratë me shkrim. Ai shkroi se marinsat kanë "politikat dhe procedurat e duhura ... për të llogaritur eksplozivët", megjithëse trupat po kërkojnë përmirësime.

Forcat Ajrore siguruan një grafikë që raportonte rreth 23 kilogramë C4, më shumë se 244 metra kordon shpërthyes dhe dhjetëra granata 40 mm ishin zhdukur pa u gjetur. Zëdhënësja Sarah Fiocco ka thënë se shkalla e humbjes brenda stokut të eksplozivëve prej 25 miliardë dollarësh të shërbimit është një pjesë e vogël e përqindjes. “Forca Ajrore ia del mirë në lidhje me përgjegjësinë e eksplozivëve”, ka shkruar Fiocco në përgjigje të pyetjeve.

Marina ka deklaruar se janë vjedhur vetëm 20 granata dore, vetëm dy prej të cilave janë gjetur. Kur AP-ja paraqiti të dhëna hetimore ushtarake që tregonin se 24 granata të tjera ishin raportuar të humbura nga armatura e një anijeje në vitin 2012, zëdhënësi i marinës, Lt. Lewis Aldridge, ka thënë se rasti ishte “përtej kërkesës për mbajtjen e të dhënave lokale 2-vjeçare”. Aldridge ka shtuar: “Ne jemi të përkushtuar ndaj transparencës dhe ndjekjes së procedurave të duhura dhe marrim seriozisht përgjegjësinë për eksplozivët”.

Jo të gjithë eksplozivët e humbur duhet të raportohen deri në burokracinë e ushtrisë. Këto boshllëqe raportuese nënkuptojnë se numrat zyrtarë të humbjeve dhe vjedhjeve të mbledhura nga Zyra e Sekretarit të Mbrojtjes nënvlerësojnë shtrirjen e plotë të problemit. Për shembull, shërbimet nuk duhet t'i tregojnë Pentagonit për humbjet ose vjedhjet e më pak se 6 kilogramë C4, megjithëse secila degë mund të ketë rregullore të brendshme më të rrepta.

“Numrat për humbje të eksplozivëve janë jashtëzakonisht të vegjël”, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit John Kirby.

AP-ja zbuloi gjithashtu dhjetëra hetime për eksploziv nga Shërbimi Hetimor Kriminal Detar, Komanda e Hetimit Kriminal të Ushtrisë dhe Shërbimi Hetimor Kriminal i Mbrojtjes. Në shumicën e këtyre 63 rasteve, ushtria nuk e kuptoi se kishte eksploziv të zhdukur derisa dikush i gjeti aty ku nuk duhej të ishin.

Përktheu: Kaltrina Selimi