Botë

Zgjidhen 7 anëtarë të trupit gjykues në rastin kundër Trumpit, duhen edhe 11 tjerë

Donald Trump - ish-president i SHBA-se

Foto: Associated Press

Janë caktuar shtatë anëtarët e parë të trupit gjykues në rastin gjyqësor penal kundër ish-presidentit amerikan Donald Trumpit në New York. Trump po përballet me akuza se ka bërë mashtrim financiar duke paguar 130 mijë dollarë aktoren amerikane të filmave për të rritur, Stormy Daniels, që ajo të heshtë e të mos flasë publikisht për lidhjen që kishin, raporton agjencia “AP”. 
Trump ka mohuar akuzat. 

Në ditën e parë të përzgjedhjes së trupit gjykues të hënën nuk ishte zgjedhur asnjë anëtarë. Të martën u zgjodhën shtatë. Në mesin e atyre që u zgjodhën ishin një punonjës i teknologjisë informative, një mësues i gjuhës angleze, një infermiere e onkologjisë, një profesionist i shitjeve, një inxhinier i softuerëve dhe dy juristë. 

Edhe 11 tjerë duhet zgjedhur para se të bëhen deklaratat hapëse javën e ardhshme. 
Trumpi është ish-presidenti i parë i SHBA-së që po përballet me rast gjyqësor penal. 
Prokurorët kanë thënë se Trump kishte udhëzuar ish-avokatin e tij Michael Cohen, të paguante Danielsin e më pas e rimbursoi atë gjatë vitit të parë të presidencës së tij në vitin 2017.