Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zëvendëskancelari gjerman bën thirrje për vaksinimin e gjermanëve

Zëvendëskancelari gjerman, Olaf Scholz, u ka bërë thirrje gjermanëve që të vaksinohen kundër koronavirusit për shkak të rekordit të të infektuarve. Qeveria federale pritet të diskutojë për rikthimin e masave, kur të mërkurën qendra për kontrollin e sëmundjeve në Gjermani konfirmoi më shumë se 50 mijë raste ditore.

Numri i të infektuarve është rritur me shpejtësi të madhe, që ka detyruar spitalet të anulojnë të gjitha ndërhyrjet kirurgjike të planifikuara, me qëllim që personeli të përqendrohet te pacientët e infektuar me Covid-19.

Ndryshe prej disa shteteve evropiane, Gjermania ka refuzuar të bëjë obligues vaksinimin për disa kategori të punëtorëve, mirëpo ende nuk ka gjetur forma për t’i bindur njerëzit që të vaksinohen vullnetarisht. Vetëm 67 për qind e popullsisë prej 83 milionë banorëve është vaksinuar plotësisht, raportojnë mediat e huaja.

Scholz, që me shumë gjasa pritet të jetë kancelar i ri i Gjermanisë, para Bundestagut ka thënë se duhet të bëhet gjithçka për vaksinimin e njerëzve. Në mesin e disa masave që partitë planifikojnë t’i miratojnë janë testet pa pagesë në qendrat e kujdesit dhe në shkolla. Kjo masë pritet të miratohet për të shmangur masat më të ashpra.