Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zelensky: Ngërçi nuk është opsion për Ukrainën

Volodymyr Zelensky - Ukraina

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka këmbëngulur se “ngërçi nuk është një opsion” për Ukrainën, derisa foli për mundësinë e anëtarësimit të vendit të tij në NATO.

Duke folur në një konferencë me video-lidhje të drejtuar nga “Financial Times”, ai tha se vendi i tij ka humbur shumë njerëz dhe nuk mund të tërhiqet, duke shtuar se Ukraina duhet të arrijë të kthejë kontrollin në gjithë territorin, shkruan BBC-ja të martën.

Zelensky tha gjithashtu se aleanca ushtarake e NATO-s duhet ta ftojë Ukrainën të anëtarësohet nëse dëshiron, duke shtuar se “nuk ka nevojë të humbin më shumë kohë në diskutime për pranimin e saj”.

Rusia ka kundërshtuar prej kohësh idenë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Ajo beson se aleanca ushtarake ka hyrë në zonën e saj të ndikimit politik duke pranuar anëtarë të rinj nga Evropa Lindore dhe mendon se pranimi i Ukrainës do ta sillte NATO-n “në oborrin e saj”.

Zelensky tha gjithashtu se është “shumë i lumtur” që Boris Johnsoni mbeti kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, pasi ai u përball me një votëbesim të hënën.