I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky pritet të takohen në Oslo, në një kohë kur marrëdhëniet mes liderit ukrainas dhe presidentit amerikan, Donald Trump, po përkeqësohen, raporton “BBC”.
Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, tha se Zelensky i kishte kërkuar Norvegjisë dhe Finlandës fqinje që të organizonin takimin me SHBA-në dhe aleatët evropianë, “në një moment kritik për Ukrainën”.
Para takimit, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i hodhi poshtë si “skandaloze” dhe “të papranueshme” akuzat se ukrainasit po vdisnin sepse SHBA-ja po i mbante të fshehura nga Kievi informacionet e inteligjencës.
Ai foli pasi këshilltari teknik ushtarak i Zelenskyt, Serhii Beskrestnov, i tha BBC-së se mungesa e paralajmërimeve të besueshme nga SHBA-ja po shkaktonte humbje jetësh.
“Kjo duket shumë e çuditshme”, tha Beskrestnov. “Ndonjëherë e marrim këtë informacion para sulmit, ndërsa herë të tjera jo”.
Marrëdhëniet mes Kievit dhe SHBA-së janë përkeqësuar javëve të fundit, deri në atë pikë sa Trump ka thënë se është koha që Ukraina të ketë një president të ri dhe, së fundmi, se është koha që “dikush tjetër të negociojë në emër të Ukrainës”.
Zelensky u takua fillimisht me kryeministrin norvegjez Store dhe presidentin finlandez, Alexander Stubb, përpara bisedimeve të planifikuara ballë për ballë me Witkoffin. Në takim do të marrë pjesë përmes videolidhjes edhe Jared Kushner, dhëndri i Trumpit.
Store tha se synimi i bisedimeve në Oslo ishte që marrëdhëniet të orientoheshin drejt “një rruge më konstruktive”. Ai u tha gazetarëve në Parlamentin norvegjez se dëshironin të siguronin që lufta të përfundonte përmes diplomacisë, me një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë.
Më herët, lideri ukrainas tha se kishte zhvilluar një “diskutim konstruktiv” me Rubion lidhur me nevojën për paralajmërime të hershme nga SHBA-ja, raketa për interceptimin e raketave balistike ruse dhe rrjetin e internetit Starlink të kompanisë SpaceX.
Javën e kaluar, një grup dypartiak senatorësh amerikanë kërkoi një hetim urgjent për ndërprerjet e rrjetit Starlink në Ukrainë, ndërsa të martën u raportua, pa u konfirmuar, se transferimi i më shumë raketave interceptuese Patriot ende nuk ishte miratuar.
Sekretari amerikan i Shtetit ndodhet aktualisht për vizitë në Indi dhe u pranoi gazetarëve se mund të jetë e vërtetë që raketat interceptuese Patriot ende nuk kanë mbërritur në Ukrainë, megjithëse, sipas tij, asgjë nuk i është mohuar qëllimisht Kievit.
Zelensky pritej t'u bashkohej homologëve të tij norvegjez dhe finlandez në një konferencë për media pas bisedimeve, por, sipas Qeverisë norvegjeze, Witkoff nuk pritej të merrte pjesë në të.
Ende nuk dihet nëse Witkoff do të udhëtojë drejt Rusisë pas vizitës në Oslo, por zëdhënësi i Kremlinit tha se shpresonte që një takim me të dërguarin e posaçëm të Trumpit të organizohej në të ardhmen e afërt. Dmitry Peskov tha se “i vlerësojmë shumë përpjekjet ndërmjetësuese të negociatorëve amerikanë”.
Në fillim të këtij muaji, presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi bisedë telefonike me Trumpin lidhur me luftën. Pas kësaj bisede, presidenti amerikan njoftoi se Moska do të furnizonte menjëherë SHBA-në dhe tregjet e tjera me më shumë se 300 mijë tonë naftë dizel, duke i dhënë fund sanksioneve amerikane ndaj eksporteve ruse të dizelit.
Marrëveshja e Trumpit me liderin rus përkoi me takimin e fundit të Witkoffit dhe Kushnerit me zyrtarët ukrainas në Miami. Zelensky reagoi duke e quajtur atë “një dhuratë të bukur për ditëlindjen e Putinit”.
Në prag të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, që do të mbahen muajin e ardhshëm, Trumpi ka fajësuar Ukrainën për sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, duke i lidhur ato me çmimet e karburanteve, të cilat kanë arritur nivele rekord që nga fillimi i luftës së udhëhequr nga SHBA-ja kundër Iranit.
Liderët evropianë kanë shprehur shqetësim për deklaratat e fundit të SHBA-së lidhur me Rusinë. Kancelari gjerman, Friedrich Merz, foli të hënën për “mesazhe dhe qëndrime të përziera” lidhur me luftën, duke shtuar se po përpiqej ta bindte Qeverinë amerikane “në tërësi se kjo është diçka që duhet ta zgjidhim së bashku”.
Ai theksoi se SHBA-ja nuk ka paguar për mbrojtjen e Ukrainës që nga fillimi i vitit 2025 dhe se barra po përballohet nga Evropa dhe vendet e tjera.
“Është vërtet një përpjekje e madhe për buxhetet tona, është vërtet një barrë e madhe për Bashkimin Evropian, por ne po e bëjmë këtë dhe po përpiqemi të vazhdojmë ta bëjmë derisa të përfundojë kjo luftë e tmerrshme”, tha lideri gjerman për televizionin Bloomberg.
I pyetur nëse Ukraina është apo jo aleate e SHBA-së, zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tha në një intervistë televizive se Kievi është “sigurisht partner në disa aspekte, por herë pas here kemi interesa të ndryshme, për shembull... Mendoj se ata duhet të ndalojnë bombardimin e infrastrukturës energjetike ruse”.
“Me sa di unë, ne nuk kemi një aleancë formale me Ukrainën. Ajo nuk është në NATO dhe nuk mendoj se duhet të jetë në NATO... Ne do të bashkëpunojmë për disa çështje, por për disa të tjera do të kemi qëndrime të kundërta”.