Pasi që Italia zbuti edhe më shumë masën e parë të izolimit në Evropë kundër koronavirusit dhe lejoi rihapjen e restoranteve, bareve, kishave dhe dyqaneve, Lucilla Vettraino u nis drejt e në sallonin e saj të bukurisë.
“Dukem si shtrigë me këto flokë!”, tha 78-vjeçarja Vettraino, teksa mbante në dorë një bojë flokësh.
Ajo tha t’i ketë larë, ngjyrosur dhe pastaj spërkatur me sprej-ngjyrë flokët në shtëpi, gjatë më se dy muajsh në karantinë. Por, teksa koronavirusi plandosi Italinë, ajo pretendoi se kishte “dëshpërimisht” nevojë për ta vizituar stilisten e saj.
Vettraino siguroi një termin në këtë sallon, një ditë pasi telefonoi. Dhe kur mbërriti i shikoi duart e tmerruar, transmeton KOHA shkrimin e NYT.
“Shikomi thonjtë”, tha ajo. “E thirra estetisten time dhe nuk arrita të caktoj termin deri më 26 qershor”.
Kudo në glob, koronavirusi ka shpërfaqur pabarazitë strukturore, elasticitetin njerëzor dhe dobësinë e sistemeve të përkujdesjes shëndetësore. Por, krejt kjo demonstroi po ashtu se kujdesi personal është esencial për një segment të shoqërisë.
Ky pasion për pispillosje ka dominuar kaherë në Itali, ku – midis betejës mes qeverive kombëtare dhe rajonale, shqetësimet për rishfaqjen e epidemisë dhe frikës për një katastrofë më ardhje – qytetarët e përshëndetën hapjen e së hënës si një shans për zbukurimin e madh.
Kryeqendër e parukerive
Italia është kryeqendër e parukerive, me plot 104 mijë sallone flokësh dhe dhjetëra-mijëra qendra të tjera të bukurisë dhe përkujdesjes për thonjtë, trajtimin e vetullave, kujdesit trupor dhe masazhimit, ka treguar studimi qeveritar i një agjencie që përfaqëson odën ekonomike.
Vendet evropiane me numër të ngjashëm popullate sikurse Italia kanë qasje dukshëm më të vogël në zbukurim. Britania e Madhe ka më pak se gjysmën e parukerive dhe salloneve të bukurisë, ndërsa Franca ka vetëm 85 mijë sallone flokësh, kanë treguar shifrat zyrtare.