Derisa zjarret vazhdojnë të djegin pjesë të tëra në gjithë botën, CNN analizon se njerëzit duhet të ballafaqohen me të vërtetën – zjarret përkeqësohen nga kriza klimatike. E kriza klimatike është shkaktuar nga njerëzit
Zjarret e furishme që kapluan Mesdheun lanë me dhjetëra të vdekur dhe i kthyen në prush fshatra të tëra. Disa liderë e potencuan rolin e piromanëve në krejt këtë katastrofë, derisa të tjerë akuzuan ndryshimet klimatike si mbulim për menaxhimin e tyre jo të mirë me gjendjen.
Rezultat i kësaj ishte një mesazh i ngatërruar se kush dhe çfarë duhet fajësuar, ka shkruar transmetuesi televiziv amerikan CNN në një analizë mbi flakët e ditëve të fundit në pothuajse gjithë botën.
Zjarret kanë djegur gjithçka para vetes në Greqi, Maqedoninë e Veriut, Turqi, Algjeri, Itali dhe Qipro ditëve të fundit. Edhe zjarrfikësit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës luftuan kundër flakëve në 15 shtete. Muajin e shkuar pjesë të tëra të Siberisë dhe Columbias britanike u përballën gjithashtu me zjarret më të mëdha ndër vite.
Ministri italian për Transicion Ekologjik, Roberto Cingolani, e potencoi rolin e ndryshimeve klimatike por së fundi aludoi se 70 për qind e zjarreve në vend ishin shkaktuar nga faktori njeri – qoftë aksidentalisht apo qëllimshëm.
Në Algjeri, ku 65 persona – përfshirë 25 ushtarë – vdiqën së fundi nga zjarret, ministri i Brendshëm, Kamel Beldjoud, pati qasje të ngjashme.
“Kemi qenë në dijeni për zjarret tash e disa kohë. Shpërthimi i dhjetëra syresh në të njëjtën kohë është pa dyshim një akt kriminal”, tha ai për televizionin Al-Nahar.
Ndryshe prej tyre, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis fajësoi ndryshimet klimatike që flakët, me synimin që t’i bishtnojë kritikave për menaxhim jo të mirë në pyje dhe në përgatitjen për katastrofa. E pas kundërpërgjigjeve CNN analizoi se ai është shtrënguar që të sqarojë se ndryshimet klimatike “ishin shpjegimi porse jo arsyetimi apo alibia”.
Derisa ekzistojnë faktorë të shumtë që ndikojnë në zjarre, janë ndryshimet klimatike që i bëjnë ato më të hovshme dhe të shpeshta dhe që i shkakton të ndizen në vende më herët jo fort të rëndomta, thuhet në analizën e transmetuesit amerikan.
Hikmet Ozturk, ekspert i pyjeve në Federatën turke për Luftimin e Erozionit Tokësor, një organizatë kjo joqeveritare, thotë se derisa 95 për qind e zjarreve në Turqi janë shkaktuar nga njeriu, përhapja e flakëve po përkeqësohet nga ndryshimet klimatike.
“Janë kushte tipike klimatike të verës për rajonet e nxehta dhe me thatësi, që do të thotë se rreziku nga zjarret veçse është i madh dhe ndryshimet klimatike e rrisin këtë rrezik”, tha ai për CNN-in.
Raporti historik i publikuar të hënën nga Paneli Ndërkombëtar i OKB-së për Ndryshime Klimatike theksoi se 38 kushte të motit që i nxisin zjarret janë bërë më të mundshme në jug të Evropës shekullin e shkuar. Globalisht valët e vapës dhe thatësisë që i përkeqësuan zjarret janë shpeshtuar gjithashtu.
Thomas Smith, asistent-profesor i Gjeografisë Mjedisore në Shkollën londineze për Ekonomi, thotë se përgjigjja për fajtorin e flakëve – ndryshimet klimatike, zjarrvëniet apo keqmenaxhimi i pyjeve – nuk është e drejtpërdrejtë.
“As qëndrimet e polarizuara që po shpërfaqen nuk janë të sakta”, tha ai për CNN, duke shtuar se zjarret janë fenomene komplekse të shkaktuara prej shumë faktorëve, nisur prej motit që ndikohet nga ndryshimet klimatike e deri te vegjetacioni, shtytësit natyrorë dhe aktivitetet njerëzore.
Njerëzit, sipas analizës së CNN, janë përgjegjës për nisjen e shumë prej zjarreve shkatërrimtare. Piromanët mund të jenë në kërkim të shkaktimit të dëmit, porse edhe të tjerët kanë ndezur qëllimshëm zjarre.
“Fakti se ndryshimet klimatike po i bëjnë zjarret edhe më të hovshme nuk nënkupton se njerëzit nuk duhen fajësuar. Është e kundërta dhe raporti i OKB-së ka konstatuar në mënyrë të parevokueshme se njerëzit kanë nxitur fillimisht ndryshimet klimatike”, thuhet në analizën e transmetuesit amerikan.
Andaj derisa zjarret vazhdojnë të djegin pjesë të tëra në gjithë botën, njerëzit duhet të ballafaqohen me të vërtetën – zjarret përkeqësohen nga kriza klimatike. E kriza klimatike është shkaktuar nga njerëzit.
Përktheu: Nita Lleshi