Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Ballkan ka qenë e natyrës provokuese dhe destruktive, me qëllim të tronditjes së situatës në rajon.
Stoltenberg vizitoi shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, gjatë javës së kaluar. Shefi i NATO-s e bëri të qartë se aleanca do të angazhohet që në këtë rajon të ketë stabilitet dhe siguri.
Por kështu nuk e sheh Rusia.
“Qëndrimi i Stoltenbergut në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi ishte qartësisht provokues. Ai u përpoq të përfshihej në punët e brendshme të Bosnje dhe Hercegovinës, për ta detyruar këtë vend t'i afrohej strukturave të Atlantikut të Veriut. Ai propozoi në mënyrë agresive rritjen e bashkëpunimit me Beogradin, pavarësisht statusit neutral të Serbisë, duke akuzuar Rusinë për të gjitha mëkatet e tyre. Ata e paraqitën në atë mënyrë që gjoja po punonin për sigurinë, ndërsa punonin për dezinformimin dhe minimin e situatës në Ballkan”, ka thënë Zakharova.
Sipas saj, udhëtimi i Stoltenbergut në Ballkan është një dëshmi shtesë që blloku ushtarak po synon të tërheqë vendet e rajonit të futen në aleancë.
“Ne nisemi nga fakti që NATO duhet të ndalojë politikën e saj të destabilizimit në Ballkan, të vendosë rregullat e veta, të krijojë linja të reja ndarjeje. Siç tregon historia, ndikimi i aleancës në Ballkan shoqërohet gjithmonë me trishtim, humbje jetësh, shkatërrim dhe krime lufte”, përfundoi Zakharova.