Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, të hënën në Bruksel do të realizoj takimet e para me përfaqësuesit më të lartë të NATO-s dhe BE-së, në cilësi të kryeministrit.
Ai do të realizojë takime me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini si dhe me eurokomisionerin për negociata për zgjerim, Johanes Han.
Zaev në Bruksel do të udhëtojë bashkë me ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe me shefin e diplomacisë, Nikolla Dimitrov dhe zëvendëskryeministrim për Eurointegrime, Bujar Osmani.
Kabineti i kryeministrit Zaev njofton se në takimin Zaev-Stoltenberg pritet të bisedohet për mundësitë për zhbllokimin eventual të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.
Më herët zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, paralajmëroi se Mogherini dhe Han në takimin me Zaevin do të përsërisin gatishmërinë e tyre për mbështetje të qeverisë së re, si dhe opozitës, që në "përpjekjet e tyre në mënyrë konstruktive të tregohet qëllimi i përbashkët për reforma lidhur me BE-në."
Kjo është vizita e parë zyrtare e kryeministrit të ri të Maqedonisë në kryeqytetin evropian pasi tani është në krye të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.