Awdah Hathaleen, një aktivist palestinez dhe gazetar i cila ndihmoi në realizimin e dokumentarit fitues të çmimit Oscar “No Other Land, është vrarë gjatë një sulmi nga kolonët izraelitë në jug të kodrave Hebron.
Një video nga e hëna tregoi një kolon izraelit, Yinon Levi, i cili ishte vënë nën sanksione nga ish-presidenti amerikan Joe Biden e më pas u hoq nga lista e të sanksionuarve nga Donald Trumpi, që gjuante me armë zjarri mbi banorët e fshatit Umm al-Khair në kohën kur u vra edhe aktivisti.
Ai u arrestua nga policia izraelite, por më pas u lirua në arrest shtëpiak derisa hetimi vazhdoi, raportoi Guardian.
“Levi menjëherë filloi të shtinte rastësisht mbi të gjithë. Ne i thamë ‘ka shumë njerëz këtu, ka fëmijë – mos qëllo’. Por ai shtiu prapë se prapë”, ka thënë Alaa Hathaleen, kunati i Awdah Hathaleen.
Vrasja e tij erdhi mes një vale në rritje të dhunës nga kolonët dhe ushtria izraelite kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar. Të paktën 1,009 palestinezë janë vrarë dhe mbi 7,000 janë plagosur atje që nga tetori 2023.
Ndëshkueshmëria ndaj kolonëve që kryejnë akte dhunë kundër palestinezëve është e rrallë. Vendbanimet izraelite konsiderohen të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare.
Ministria e Jashtme e Francës e ka quajtur dhunën e kolonëve “çështje terrorizmi” ndërsa reagoi mbi vrasjen e aktivistit.
Ushtria izraelite e ka pohuar se ka ndodhur sulmi duke thënë se një “civil izraelit” i armatosur ka shtënë mbi një grup njerëzish.
Në ditën e parë të tij në detyrë, Trumpi e pati hequr Levin nga lista e sanksioneve ashtu si edhe dhjetëra kolonë ekstremistë të tjerë dhe organizata që terrorizojnë palestinezët në Bregun Perëndimor.
Levi është nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe.