Botë

Vritet komandanti kryesor i raketave në Gaza nga sulmi izraelit

Ushtria izraelite ka vrarë kreun e forcës raketore të Xhihadit Islamik Palestinez (PIJ) në një sulm ajror në orët e para të mëngjesit në një apartament në Gaza, raportoi të enjten BBC-ja.

Dy persona të tjerë, për të cilët ushtria ka thënë se janë gjithashtu militantë, vdiqën në sulmin në qytetin jugor të Khan Younis.

Të mërkurën qindra raketa janë hedhur si nga Izraeli, edhe nga Gaza. Në Gaza 25 persona mbetën të vrarë dhe 76 janë lënduar kur Izraeli filloi operacionin e tij kundër PIJ, ku mbetën të vrarë edhe tre komandantë të tij.

Në mesin e të vrarëve ishin të paktën edhe 10 civilë, vrasjet e të cilëve Kombet e Bashkuara i kanë quajtur të papranueshme.

Ushtria izraelite tha se katër persona, përfshirë tre fëmijë, u vranë në Gaza nga raketat që ranë të mërkurën, megjithëse kjo nuk është konfirmuar nga burime palestineze.

Xhihadi Islamik tha se pretendimi ishte i pasaktë dhe akuzoi Izraelin se po përpiqej të shmangte përgjegjësinë për vdekjet e tyre.

Sulmi ajror izraelit në mëngjes herët në Khan Younis shkatërroi një apartament në krye të një ndërtese gjashtëkatëshe.