Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vrasja në pikë të ditës në Berlin dhe lidhja me Rusinë

Vrasjet ndodhin në Berlin. Ato, megjithatë, nuk janë të zakonshme – norma e krimit në Gjermani aktualisht ndodhet në nivelin më të ulët në më shumë se 25 vjet – por siç ndodh në të gjitha qytetet e mëdha, vrasjet e herëpashershme të dhunshme janë pothuajse të pashmangshme.

Më pak e zakonshme, megjithatë, është që ato të ndodhin në pikë të ditës, në qendër të qytetit. E edhe më e pazakontë është që cak të jetë një ish-luftëtar çeçen, derisa i dyshuari të jetë një vrasës me pagesë i Qeverisë ruse.

Por kjo është pikërisht ajo që ndodhi më 23 gusht, shkruan Koha Ditore.

Zelimkhan Khangoshvili, qytetar 40-vjeçar gjeorgjian me prejardhje çeçene, ishte duke shkuar për ta falur xhumanë në një xhami në qarkun Moabit, në qendër të Berlinit.

Një person që po e përcillte në biçikletë elektrike iu afrua dhe e qëlloi nga një distancë e shkurtër dy herë në kokë dhe një herë në kraharor. Khangoshvili vdiq në vend, në një vrasje të mistershme që e ka mbërthyer shtetin dhe ka ngritur shumë pyetje të pakëndshme rreth raportit kompleks të Gjermanisë me Rusinë.

I dyshuari, që po bartte pasaportë ruse, u arrestua brenda disa orësh. Por më shumë se dy muaj më vonë, rasti është ende pezull: i dyshuari ka zgjedhur heshtjen, Kremlini e mohon përfshirjen, dhe Gjermania nuk do që t’ia drejtojë gishtin Moskës pa pasur ndonjë dëshmi bindëse.

Është kjo vrasje që në të njëjtën kohë rëndon mbi dhjetëra mijëra emigrantë tjerë çeçenë që jetojnë në Evropë. Të cenueshëm nga dëbimi dhe ndjesia gjithnjë e më e theksuar kundër emigrantëve, ata thonë se janë duke e përcjellë për së afërmi reagimin gjerman ndaj incidentit.

Edhe Rusi akuzohet për vrasjen e planifikuar të një çeçeni në Gjermani Botë Rusi akuzohet për vrasjen e planifikuar të një çeçeni në Gjermani

Të pushtuar nga tmerri

Khangoshvili ishte qëmoti person i kërkuar. Përfshirja e tij në luftën e dytë çeçene, ku luftoi krah-për-krah me kryengritësit e tjerë çeçenë kundër forcave federale ruse, e ktheu atë në një armik të përbetuar të forcave të armatosura ruse.

Ndonëse u largua prej lëvizjes së rezistencës nga 2005-a, ai nuk mundi që ta zhbënte të kaluarën. Përpjekje të shumta për vrasjen e tij bashkë me familjen u ndërmorën gjatë viteve, teksa ata po kërkonin strehim nëpër Evropë, duke mbërritur më në fund në Gjermani më 2016, me shpresën se më në fund do të gjenin një vendstrehim të sigurt. Ishte ky një gabim fatal... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)