Kandidatja e demokratëve për presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, njoftoi se ka votuar nëpërmjet postës në Detroit, duke thënë se i beson sistemit dhe vota e saj do të jetë në Kaliforni.
Para gazetarëve, Harris të dielën nuk bëri shumë komente, duke thënë se gjenden në prag të zgjedhjeve, ka raportuar CNN.
“Unë sapo plotësova fletëvotimin tim me postë. Pra, kam votuar. Fletëvotimi im është në rrugën për në Kaliforni dhe unë i besoj sistemit që do të arrijë atje”, ka shtuar ajo.
Lexo edhe:
Në anën tjetër, republikanët me kandidatin e tyre, Donald Trump, kishin shprehur dyshime për sistemin e votës me postë, duke aluduar se mund të bëhen keqpërdorime.
Mbi 1.7 milionë qytetarë kanë votuar në Pensilvani, derisa Trump është shprehur se në këtë proces ka pasur mashtrime. Sipas tij, numërimi i votave po shkon në një proces të ngadaltë, duke bërë thirrje që i gjithë numërimi të kryhet brenda një dite. Zyrtarët e zgjedhjeve kanë thënë se numërimi mund të marrë disa ditë kohë, siç kishte ndodhur në 2020-n.
Në anën tjetër, gjatë fushatës Harris është shprehur të dielën se “se Zoti ka plane për ne dhe ne duhet të veprojmë sipas planeve që i ka përgatitur”.