Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se lideri rus, Vladimir Putin, duhet të japë përgjegjësi para drejtësisë për krimet e kryera në Ukrainë, shkroi të enjten e përditshmja franceze “Le Monde”.
Në një intervistë për televizionin “Bild”, Von der Leyen ka thënë se në Ukrainë janë kryer krime që nga pushtimi i saj në shkurt.
“Putini duhet ta humbasë këtë luftë dhe të përgjigjet për veprimet e tij, kjo është e rëndësishme për ne. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim mbledhjen e provave, me qëllim të procedimeve para Gjykatës Penale Ndërkombëtare”, ka thënë ajo.
E pyetur për gjasat që kreu i shtetit rus mund të sillet një ditë përpara drejtësisë ndërkombëtare, Von der Leyen tha se kjo është e mundur.
Presidentja e Komisionit Evropian ka zhvilluar vizitë të enjten në kryeqytetin ukrainas, ku premtoi se BE-ja do ta mbështesë Ukrainën kundër Rusisë, për aq kohë sa do të nevojitet.