Agjenda e brendshme dhe ajo ndërkombëtare të Bidenit do të jenë të kushtëzuara prej përbërjes së re të Senatit, të cilën dështuan ta fitonin demokratët
Le të nisim me një shënim pozitiv: Është mirë që ende nuk dihet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve amerikane, ka shkruar të enjten në një analizë të sajën revista amerikane “Foreign Policy”, lidhur me raportet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me aleatët para dhe pas zgjedhjeve.
Demokracia, sipas revistës, ka edhe paqartësitë e veta – dhe ato paqartësi kërkojnë përulje prej të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje, qofshin fitues a humbës.
“E tani duhet t’i kthehemi një shënimi pak më të sikletshëm: Kur të thuhet e të kryhet gjithçka, duket se presidenti Donald Trump do ta lëshojë Shtëpinë e Bardhë, porse do të ketë marrë më shumë vota se katër vjet më parë, pavarësisht administratës së korruptuar që ka menaxhuar si mos më keq pandeminë e koronavirusit”, ka shkruar revista politike. Ekonomia amerikane rrezikon të shkojë drejt një recesioni të ashpër ekonomik.
Për miqtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës matanë Atlantikut, të cilët kanë menduar se rezultati i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 ka qenë një flluskë që do të plasë, e kanë shumë gabim. Ishte reflektim i asaj që ishte dhe që është vend i përçarë, që po përballet me reagime të paqarta ndaj të kaluarës dhe sfidave të shekullit aktual.
Rezultati i zgjedhjeve të së martës që me gjasë do të zgjasin shumë si proces i numërimit dhe certifikimit, do të bëjnë që senatori republikan, Mitch McConnell, të marrë kontrollin e Senatit Amerikan para se të dihet zyrtarisht fituesi i garës presidenciale. Dhe nëse Joe Bideni ia del të ruajë këtë epërsi dhe të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, atëherë nuk do ta ketë të lehtë ta jetësojë politikën e tij të brendshme dhe të jashtme me një Senat që nuk është me shumicë demokrate. Krejt ndryshe do të ishte agjenda e Bidenit nëse do të kishte bashkëpartiakë në krye të legjislativit.
Në nivelin praktik, do të zgjasë më shumë kohë për të emëruar njerëzit në poste të larta në administratë që kërkon edhe konfirmimin e Senatit. Por më e rëndësishmja, agjenda legjislative do të jetë e lidhur me krizën e tanishme ekonomike dhe shëndetësore, me fuqizimin e demokracisë amerikane dhe për të zgjidhur sfidën ekzistenciale të ndryshimit klimatik, ka shkruar revista. Por krejt këto do të jenë vështirë të realizueshme për t’i avancuar pa një qasje bipartizane. Në ndryshimin klimatik në veçanti, prospekti i investimeve të rëndësishme është i nevojshëm për të transformuar ekonominë amerikane dhe për të realizuar caqet për shkallën e emetimit të dyoksidit të karbonit. Për aleatët dhe partnerët e Shteteve të Bashkuara anembanë botës, Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë më antagoniste, dhe administrata Kamala-Harris do të rikthejë traditën diplomatike në politikën amerikane në raport me botën, por kryeqyteti amerikane do të vazhdojë të mbetet partner frustrues për çështje të rëndësishme.
Në një analizë më të thukët nuk mund të anashkalohet ajo çfarë ndodhi më 2016. Megjithëse ende po numërohen votat, zgjedhjet e vitit 2020 me gjasë do të rezultojnë me fitore të Bidenit dhe Harrisit, por nuk është fitore e plotë morale për të cilën shpresonin edhe shumë demokratë. Dhe mbetet detyrë e lidershipit të ri që të fuqizohen vlerat demokratike, duke demonstruar se demokracitë mund t’ia dalin dhe se mund të sprapsin demagogët dhe autoritarët, por pa i lënë të vetme Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Demokracitë në kontinentet e tjera duhet të ngrenë zërin – për interesat dhe kauzën e tyre për vetë demokracinë.