Qindra njerëz në Venezuelë kanë mbetur nën rrënoja e shumë të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur pas dy tërmeteve të fuqishme që shkatërruan zona atje. Mbi 230 të vdekur raportohen deri tash.
Tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 që goditën të mërkurën në mbrëmje ishin ndër më të fuqishmit në Venezuelë në më shumë se një shekull dhe u ndjenë në të gjithë rajonin, raportoi AP.
Të lënduarit u nxorën të mbuluar me pluhur dhe gjak, midis tyre fëmijë. Televizioni shtetëror i Venezuelës tregoi imazhe dramatike të shpëtimeve, përfshirë një grua që ishte bllokuar nën një pllakë çimentoje me vetëm një këmbë që i shihej jashtë përpara se shpëtimtarët ta nxirrnin të gjallë. Por pak ekipe kërkimi qeveritare u panë fillimisht jashtë Karakasit.
Rajoni bregdetar La Guaira, në veri të kryeqytetit Karakas, pësoi disa nga dëmet dhe viktimat më të rënda. Aeroporti kryesor i vendit është atje dhe u mbyll për shkak të dëmeve, duke i komplikuar përpjekjet e ndihmës.
Vende nga e gjithë bota kanë premtuar mbështetje, madje edhe disa shtete që më parë kishin kundërshtuar Venezuelën, e cila prej dekadash ka vuajtur nga izolimi ndërkombëtar për shkak të shtypjes politike, kolapsit ekonomik dhe trysnisë diplomatike.
Arrin në 589 numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë
Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë ka shkuar në 589, ndërsa 2.980 persona janë lënduar, si dhe besohet se qindra të tjerë janë ende të bllokuar nën rrënoja, ka raportuar BBC.
Ekipet e shpëtimit dhe ndihmat nga jashtë kanë filluar të mbërrijnë të premten, gati dy ditë pasi tërmetet e dyfishta shkatërruese rrafshuan zonat brenda dhe përreth kryeqytetit Karakas.
Presidentja në detyrë Delcy Rodríguez ka njoftuar për numrin e viktimave të premten herët, e rrethuar nga zyrtarë qeveritarë dhe ushtarakë, ndërsa ka përshëndetur mbërritjen e ekipeve të shpëtimit nga e gjithë bota.
Numri i viktimave pritet të rritet, pari mijëra persona janë raportuar të zhdukur. Në një faqe interneti e krijuar për të marrë informata për njerëz ende të pagjetur deri të premten në mëngjes ka listuar 50.000 persona.
Tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 që goditën të mërkurën në mbrëmje ishin ndër më të fuqishmit në Venezuelë në më shumë se një shekull dhe u ndjenë në të gjithë rajonin.