Venezuela është përballur me ndërprerje të energjisë elektrike, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters, bazuar në disa dëshmitarë, ndonëse Qeveria e presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro ka fajësuar shumë shpejt një “neglizhencë” në një digë hidroeletrike që siguron pjesën më të madhe të energjisë në këtë vend.
Ndërprerjet e energjisë janë të shpeshta në Venezuelë, vend në të cilin ekonomia është duke u përballur me inflacion tejet të lartë, si dhe ka zvogëlime të mëdha të ushqimit dhe ilaçeve.
Kritikët kanë thënë se korrupsioni dhe mungesa e investimeve kanë lënë këtë shtet pa sistem funksional të energjisë elektrike, derisa Maduro ka thënë se problemet janë krijuar me qëllim nga armiqtë politikë.
Si pasojë e kësaj gjendjeje, rrugët janë mbushur me njerëz në Karakas. Shumë persona kanë thënë se do t’iu duhet të ecin në këmbë me orë të tëra, pasi sistemi i metrove nuk ka funksionuar dhe autobusët kanë qenë plot.
“Personi përgjegjës për këtë, quhet Nicolas Maduro”, ka thënë banori, Pedro Fernandez.
Edhe
Venezuela në errësirë, Maduro dhe qeveria akuzojnë SHBA-në për “sulm kibernetik”
Situata në Venezuelë është tensionuar pasi lideri opozitar, Juan Guaido, është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe një varg i shteteve perëndimore si president i përkohshëm, derisa Maduro që është betuar në mandatin e dytë muaj më parë, refuzon të largohet nga pushteti.
Maduro është kritikuar për mënyrën si është zgjedhur president, si dhe për keqmenaxhimin e ekonomisë, që ka rezultuar me ikjen e miliona banorëve nga ky shtet.