Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vendim “i papranueshëm” i SHBA-së për tërheqjen e trupave nga Gjermania

Koordinatori i Gjermanisë për raportet Transatlantike e ka kritikuar vendimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trumpit për tërheqjen e mijëra trupave nga Gjermania.

Trumpi i ka dhënë urdhër Ushtrisë Amerikane që t’i tërheqë 9.500 trupa nga Gjermania, kishte bërë të ditur të premten një zyrtar i lartë amerikan, raporton Reuters, transmeton KOHA.

“Kjo është tërësisht e papranueshme, posaçërisht pasi që askujt në Washington nuk i ka rënë në mend që ta informojë paraprakisht Gjermaninë, aleaten amerikane në NATO”, ka thënë Peter Beyer, anëtar i konservatorëve të kancelares Angela Merkel, në një intervistë për gazetën “Rheinische Post”.

Pas vendimit të Trumpit, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, e ka shprehur në një intervistë keqardhjen e tij për tërheqjen e planifikuar të ushtarëve amerikanë nga Gjermania, duke e përshkruar si të “komplikuar” raportin e Berlinit me SHBA-në.