Presidenti i parë i Ukrainës së pavarur, Leonid Kravchuk, ka vdekur të martën në moshën 88-vjeç.
Kravchuk i cili ishte presidenti i Ukrainës nga viti 1991-94, është njohur si një figurë kyçe në fillimin e shpërbërjes kryesisht paqësore të Bashkimit Sovjetik tre dekada më parë, raportoi REL.
Sipas mediave ukrainase, ai vdiq pas një sëmundjeje të gjatë, teksa kohëve të fundit ishte vendosur në kujdes intensiv pasi pësoi komplikime pas operacionit në zemër në qershor të vitit 2021.
Dmytro Razumkov, ish-kryetar i parlamentit të Ukrainës, e quajti vdekjen e Kravchukut humbje të madhe për të gjithë vendin.
Në një postim në Facebook, Razumkov e quajti Kravchukun figurë që qëndroi pranë origjinës së shtetësisë moderne ukrainase.
Kravchuk ishte një nga tre liderët sovjetikë që nënshkruan Marrëveshjen e Belavezhës, një marrëveshje e 8 dhjetorit 1991, preambula e së cilës deklaronte se Bashkimi Sovjetik kishte pushuar së ekzistuari.
Ai ishte zgjedhur president një javë përpara se të firmoste paktin, i cili krijoi Komonuelthin e Shteteve të Pavarura, së bashku me presidentin rus Boris Yeltsin dhe udhëheqësin bjellorus Stanislau Shushkevich, i cili vdiq më 4 maj.