Grupi xhihadist Shteti Islamik (IS) ka njoftuar vdekjen e liderit të tij, Abu al-Hassan al-Hashemi al-Qurayshi.
Në një mesazh audio, zëdhënësi i grupit tha se ai u vra ndërsa luftonte me ata që ai i quajti "armiqtë e Zotit", duke mos dhënë detaje të mëtejshme, ka raportuar BBC-ja të mërkurën.
Ai u bë lider në mars, pasi paraardhësi i tij hodhi veten në erë gjatë një sulmi nga forcat amerikane në Sirinë verilindore.
Zëdhënësi emëroi zëvendësuesin e tij si Abu al-Hussein al-Husseini al-Qurayshi.
Ashtu si edhe në njoftimin e mëparshëm, zëdhënësi u përmbajt nga zbulimi i emrit, kombësisë apo prejardhjes së tij të vërtetë.
Ai e përshkroi Abu al-Hussein si "një nga muxhahidinët veteran" dhe u bëri thirrje mbështetësve të grupit që të betoheshin për besnikëri ndaj tij.
Dihej shumë pak për Abu al-Hassanin, i cili kurrë nuk lëshoi ndonjë deklaratë në emër të tij si udhëheqës. Por të hënën, një kanal Telegram anti-IS që mbështet grupin rival xhihadist Al-Kaeda tha se ai ishte vrarë "disa kohë më parë".
IS dikur zotëronte 88,000 km katrorë territor që shtrihej nga Iraku lindor në Sirinë perëndimore dhe imponoi sundimin e tij brutal mbi pothuajse tetë milionë njerëz.
Grupi u dëbua nga pjesa e tij e fundit e territorit në vitin 2019.