Në moshën 89-vjeçare ka vdekur historiania e famshme serbe Latinka Peroviq, që kishte qenë edhe ish-Sekretare e Përgjithshme e Ligës Komuniste në Serbi.
Peroviq njihet si një aktiviste që kishte luftuar për të drejtat e njeriut dhe për një Serbi properëndimore, që duhet pajtuar me realitetin e Kosovës së pavarur.
Peroviq lindi më 4 tetor të vitit 1933 në Kragujevc. Si 27-vjeçare ishte bërë kryetare e Frontit të Grave Antifashite të Serbisë.
Peroviq kishte doktoruar në Universitetin e Beogradit në vitin 1975, ndërsa ka shkruar dhjetëra libra e punime shkencore.
Jeta e saj kishte qenë betejë kundër nacionalizmit serb. Për këtë ajo ishte mallkuar e përbuzur nga Serbia.
Kishte qenë sekretare e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë. Më 1972 atë e largoi Josip Broz Tito nga frika se pikëpamjet e saj ishin tepër liberale për shoqërinë jugosllave. Në atë kohë ishte konsideruar gruaja më me ndikim në politikën jugosllave.
Në njërën nga intervistat e saja të fundit në qershor të këtij viti, Peroviq, kishte bërë thirrje që Serbia sa më parë ta heqë qafe konfliktin e ngrirë në Kosovë.
“Është me rëndësi që Serbia të vendosë marrëdhënie normale me fqinjët, edhe me Kosovën”, kishte thënë Peroviq.