Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vdes në moshën 100-vjeçare ish-sekretari i Shtetit, George Schultz

George P. Schultz, një sekretar i Shtetit amerikan për një kohë të gjatë në administratën e presidentit Ronald Reagan, i cili në vitet 1980 u përpoq të rregullonte marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe të hapte rrugën për paqen në Lindjen e Mesme, ka vdekur në moshën 100-vjeç.

Schultz ndërroi jetë të shtunën në shtëpinë e tij, në kampusin e Universitetit Stanford në Kaliforni, thuhet në njoftimin e Institutit Hoover, në të cilin ai ishte një anëtar i respektuar, raporton Reuters.

Në një karrierë të gjatë dhe të frytshme, Schultz mbajti zyrën më të lartë shtetërore në tre administrata republikane.

Ai ishte ministër i Punës dhe ministër i Financave në administratën e Presidentit Richard Nixon, dhe për gjashtë vjet ishte sekretar i Shtetit në administratën e Ronald Reagan.

Si sekretar i Shtetit, Schultz negocioi me Bashkimin Sovjetik mbi kushtet e marrëveshjes së parë për reduktimin e armëve bërthamore dhe marrëveshja e nënshkruar në vitin 1987 ishte një përpjekje historike për të ndaluar garën globale të armatimit.