Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vdes në avion një ministër rus – shtohet numri i vdekjeve të dyshimta të zyrtarëve në Rusi

Një politikan rus vdiq nga shkaqe të panjohura pasi u sëmurë rëndë në një avion të shtunën, vdekje kjo e fundit në një varg vdekjesh misterioze mes elitave ruse.

Zëvendësministri rus i Shkencës dhe Arsimit të Lartë, Pyotr Kucherenko, 46-vjeçar, vdiq teksa po kthehej nga një udhëtim në Kubë të shtunën.

“Kucherenko po ndihej i sëmurë ndërsa ishte në një aeroplan me një delegacion rus që po kthehej nga një udhëtim pune në Kubë. Avioni u ul në qytetin Mineralnye Vody, ku mjekët u përpoqën të ndihmonin”, tha ministria në një deklaratë të postuar në faqen e saj të internetit, duke shtuar se ministri nuk mund të shpëtohej.

Familja e Kucherenkos tha se vdekja e tij mund të ketë qenë nga një sëmundje e zemrës, por një ekzaminim mjeko-ligjor do të mbahet të mërkurën.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se nuk ishte në dijeni të shkakut të vdekjes së Kucherenkos.

Gazetari Roman Super, i cili u largua nga Rusia menjëherë pasi ajo pushto Ukrainën shkurtin e kaluar tha në kanalin e tij në Telegram se kishte folur me Kucherenkon vetëm ditë përpara se të ikte. Ai tha se Kucherenko kishte frikë për sigurinë e tij dhe e inkurajoi atë të largohej nga Rusia.

“Shpëtoni veten dhe familjen tuaj. Largohu sa më shpejtë. Nuk mund ta imagjinoni shkallën e brutalizimit të shtetit tonë. Në një vit nuk do ta njihni fare Rusinë. Nëse largoheni do ta bëni gjënë e duhur”, ka cituar ai Kucherenkon.

Edhe Dyshime mbi vdekjen e Kadyrovit, thuhet se ishte në koma Botë Dyshime mbi vdekjen e Kadyrovit, thuhet se ishte në koma

Gazetari shtoi se Kucherenko i tha atij se kishte marrë ilaçet kundër depresionit dhe qetësuesit, duke e cituar të thoshte: “Unë i pi me grushte dhe nuk me ndihmon shumë. Unë mezi fle, ndihem tmerrësisht. Të gjithë jemi marrë peng. Askush nuk mund të thotë asgjë, përndryshe jemi të shtypur si insekte”.

Është raportuar se zyrtarëve të lartë rusë në Kremlin dhe në rajone u është ndaluar të largohen nga postet e tyre. IStories, një media investigative online me bazë jashtë Rusisë dhe e drejtuar nga një gazetar i njohur Roman Anin, raportoi javën e kaluar se disa guvernatorë, zyrtarë brenda forcave të sigurisë dhe njerëz nga administrata presidenciale ishin përpjekur të largoheshin, por nuk ishin lejuar. Peskov e hodhi poshtë raportin si një mashtrim.