Të paktën tetë oligarkë rusë kanë vdekur në rrethana të dyshimta prej fillimit të këtij viti, me disa sish të ndërlidhur me Gazpromin, monopolin energjetik shtetëror dhe Gazprombank.
Ravil Maganov, drejtues i prodhuesit të dytë më të madh të naftës në Rusi, Lukoil, vdiq më 1 shtator të këtij viti, pasi ra nga dritarja e një spitali në Moskë. Agjencia shtetërore e lajmeve e Rusisë, TASS, raportoi se 67-vjeçari kishte bërë vetëvrasje, duke cituar burimet policore.
Lukoil është ndër të paktat kompani ruse që kanë bërë thirrje publike për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë. Shtatë biznesmenë tjerë rusë, shumica e të cilëve me lidhje me industrinë energjetike, kanë vdekur papritmas në rrethana të pasqaruara në muajt e kaluar.
Sipas medias shtetërore ruse RIA, Leonid Shulman, drejtues i lartë i Gazprom, ishte therur për vdekje në shtëpinë e tij në paralagjen ultra të pasur Vyborrgsky të St Petersburgut më 30 janar. 60-vjeçari Shulman ishte kreu i transportit në Gazprom Invest, degë kjo e gjigantit energjetik që merret me projektet e investimeve.
Një muaj më vonë një tjetër drejtues i lartë i Gazprom u gjet i vdekur në të njëjtën paralagje. Alexander Tyulakov u gjet i vdekur në garazhin e tij më 25 shkurt. Sipas Novaya Gazeta, gazetë kjo e pavarur ruse, Tyulakov kishte kryer vetëvrasje.
MIhail Watford, miliarder rus i lindur në Ukrainë, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij ne Surrey të Anglisë më 28 shkurt. Policia e Surreyt nuk është duke e trajtuar vdekjen e tij si të dyshimtë.
Një tjetër miliarder, Vasily Melnikov, u gjet i vdekur pranë familjes së tij në Nizhny Novgorod në fund të marsit, sipas gazetës ruse Kommersant. 43-vjeçari Melnikov ishte therur për vdekje bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij më 23 mars.
Në prill, dy biznesmenë të tjerë rusë vdiqën në incidentet vrasje-vetëvrasje. Më 18 prill Vladislav Avayev, ish nënkryetar i Gazprombank, u gjet i vdekur në apartamentin e tij në Moskë bashkë me trupat e bashkëshortes dhe vajzës së tij. Hetuesit kanë thënë që bankieri e kishte vrarë familjen para se të kryente vetëvrasje.
Një ditë më pas, Sergey Protosenya, ish drejtues tek prodhuesi i naftës Novatek, të cilin e ka pjesërisht në pronësi Gazpromi, u gjet i vdekur bashkë me bashkëshorten dhe vajzën në shtëpinë e tij në Lloret de Mar, një resort mesdhetar afër Barcelonës.
Dy jaëv në vonë, Vladimir Lyakishev, bashkëthemelues i zinxhirit të restoranteve Bratya Karavayevi, u gjet i vdekur në apartamentin e tij në Moskë, më 4 maj. Lyakishev vdiq nga plagët me armë zjarri në kokë.
Në korrik, Yuri Voronov, 61-vjeçar, kreu i kompanisë logjistike që kishte kontrata të majme me Gazpromin, u gjet i vdekur nga plaga me armë zjarri në kokë në shtëpinë e tij në paralagjen Vyborgsky të St Petersburgut. Hetuesit e cilësuan vdekjen e tij si “ngatërresë me partnerët e biznesit”.
Burimet:
Top Russian oil official falls to death from hospital window (Reuters)
Putin’s fingerprints all over deaths of these 7 oligarchs this year (New York Post)
At least five Russian businessmen have died by apparent suicide in just three months (CNN)
Mikhail Watford: Ukrainian oligarch's death investigated by Surrey Police (BBC)