Botë

Vdekja e mjekut që paralajmëroi përhapjen e koronavirusit ngjall debat të ashpër në Kinë

Vdekja e një mjeku kinez që u përpoq të paralajmëronte përhapjen e koronavirusit, ka ngjallur një nivel të paparë të zemërimit dhe hidhërimit në Kinë.

Li Wenliang vdiq pasi ra në kontakt me virusin, ndërsa trajtonte pacientët në qytetin Wuhan.

Dhjetorin e kaluar, ai u dërgoi një mesazh kolegëve të tij, duke paralajmëruar një virus që ai mendonte se ishte Sars, një koronavrius tjetër vdekjeprurës, transmeton KTV.

Por, atij iu kërkua nga policia që të ndalojë së bëri komente false dhe u hetua për përhapjen e thashethemeve. Lajmet për vdekjen e tij u pritën me pikëllim në faqen kineze të mediave sociale Weibo.

Tashmë kishte pasur akuza kundër qeverisë për minimizimin e ashpërsisë së virusit dhe fillimisht u përpoqën ta mbanin të fshehtë. Vdekja e mjekut Li ka ndezur debatin në lidhje me mungesën e lirisë së fjalës në Kinë.

Autoritetet kundër korrupsionit kanë thënë se do të nisin hetime lidhur me disa çështje që përfshijnë mjekun Li.

Të premten, presidenti kinez, Xi Jinping, i ka thënë homologut të tij amerikan, Donald Trump, se Kina ishte plotësisht e sigurt dhe e aftë për ta mposhtur epideminë.

Kina ka prezantuar masa më shtrënguese për ta kontrolluar shpërthimin.

Kryeqyteti Pekin ka ndaluar ngrënien në grup për ngjarje të tilla si ditëlindjet. Ndërsa disa qytete po kufizojnë sa anëtarë të familjes mund të largohen nga shtëpia çdo ditë.

Shifrat e reja tregojnë se virusi ka shkaktuar vdekjen e mbi 636 njerëz dhe ka infektuar mbi 31.000 në territorin e Kinës. Ka raste të konfirmuara të infeksionit në rreth 25 shtete. Deri më tani ka pasur vetëm dy vdekje jashtë Kinës, një në Hong Kong dhe një në Filipine.